Merkel i vjen në ndihmë Francës: 650 ushtarë gjermanë në Mali

Presidenti francez, Francois Hollande vazhdon përpjekjet për të formuar një aleancë sa më funksionale kundër terrorizmit dhe apeli i tij i radhës ka qenë ndaj Gjermanisë.

Bota

25/11/2015 23:55

“Mendoj se Gjermania mund të angazhohet më shumë kundër Shtetit Islamik”, ka deklaruar Hollande pasi ka pritur në një takim në Paris kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Asnjë vend nuk është i sigurt nga sulmet e ISIS. Pas sulmeve të Parisit duhet të shmangim krijimin e një situate të papërmbajtshme, që është kombinimi mes refugjatëve dhe terroristëve”, ka thënë Hollande.

Shefi i pallatit Elize ka nënvizuar se tashmë është vërtetuar sesi disa terroristë kanë përdorur shtigjet e refugjatëve për të hyrë në Evropë, “ndaj është detyra jonë të kontrollojmë këdo që vjen”, ka vijuar ai.

Dhe në këtë drejtim, përgjigja e kancelares nuk ka vonuar të vijë. Ajo i ka premtuar Francës dërgimin në Mali të 650 ushtarëve gjermanë.

“Edhe Gjermania është e tronditur nga sulmet e Parisit dhe e gatshme të bëjë gjithçka është e mundur që tragjedi të tilla të mos përsëriten”, ka thënë Merkel. Kancelarja ka theksuar gjithashtu se, Shteti Islamik nuk luftohet vetëm me fjalë, por edhe me mjete ushtarake.

“Gjithashtu është e nevojshme të gjendet një zgjidhje politike në Siri, që kërkon angazhimin e të gjithëve sepse të gjitha palët e përfshira mund të ulen në tryezën e bisedimeve. Në këtë drejtim, procesi i nisur në Vjenë vazhdon”, ka deklaruar Merkel.

Merkel, e cila kishte veshur një xhaketë të zezë në shenjë zie, është shprehur se, “Gjermania merr pjesë në dhimbjen e Francës për jetët e humbura në atentatet e 13 nëntorit”, të cilat i ka cilësuar “një sulm kundër stilit evropian të jetesës, demokracisë dhe Evropës”.

Në ditët e fundit Hollande u takua me presidentin amerikan Barack Obama dhe kryeministrin britanik David Cameron, por përveç fjalëve të bukura, në plan të parë u duk se nuk u arrit ndonjë gjë konkrete./ Top Channel