“Mbyllet” PDK, nuk deklarohen se a do marrin pjesë apo jo në seancën e nesërme

Me marrëveshje të partive politike nesër më 24 gusht është caktuar të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Lajme

23/08/2017 13:47

Koalicioni PAN (PDK, AAK, Nisma), fillimisht tha se do të marrë pjesë dhe se krijimi i institucioneve do të ndodh shumë shpejt, pasi i kanë numrat për të zgjedhur Kadri Veselin kryetar të Kuvendit.

Sot po del të jetë tjetër çështje, kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj tha se ky koalicion mund të mos marr pjesë në seancën e nesërme duke mos e përmendur arsye.

E arsye e paralajmërimit për mospjesëmarrje në seancën e nesërm është fakti se Agim Bahtiri i AKR-së ka thënë se kjo parti nuk e mbështetë kandidatin e PAN-it, në këtë rast Kadri Veselin, për kryetar të Kuvendit.

Ndonëse deklaroi dhe nuk e arsyetoi se pse nuk do të marrin pjesë, lajmi.net ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të PDK-së, por shumica nga anëtarët e Kryesisë nuk e kanë hapur telefonin për të sqaruar deklaratën e Haradinajt, se a do të marrin pjesë apo jo në seancë.

Sidoqoftë nesër i gjithë ky lëmsh politik pritet të qartësohet, të paktën rreth hyrjes zyrtare në krizë politike. /Lajmi.net/