Marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA’në

E vërteta është se për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që jetojnë, SHBA'të janë miku dhe aleati strategjik më kryesor.

Opinion

29/09/2013 22:20

Para nisjes për në Nju Jork, në kuadrin e “marrjes fund të epokës së rrënimit”, siç e ka shpallur Rama epokën 1992-2013 të pas-etërve të tij në tërësi, dhe vitet 2005-2013 në veçanti, ai deklaroi se një ndër qëllimet kryesore të udhëtimit të tij është përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-të.

Dy ditë më parë, zoti Donald Lu, ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri, do të deklaronte në Senatin Amerikan se Shqipëria është një aleat i shkëlqyer i SHBA-ve. Jam i sigurt se kjo deklaratë nuk ishte një reagim ndaj deklaratës qesharake të Ramës.

Por e vërteta është se për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që jetojnë, SHBA-të janë miku dhe aleati strategjik më kryesor. SHBA-të, si vendi më i fuqishëm dhe me kontribute më të mëdha në lirinë e kombeve perëndimore, e mbi të gjitha si përgjegjësi kryesor sot për paqen dhe sigurinë në botë, janë aleati strategjik kryesor i çdo vendi të lirë.

Por për ne shqiptarët, aleanca strategjike me vendin e madh të lirisë është më jetike, më e shtrenjtë se për çdo komb tjetër.

Me angazhimin direkt për çlirimin e Kosovës, SHBA-të bënë të mundur që edhe ne, më së fundi, të mund të këndojmë këngën e lirisë. Shqipëria është një vend i vogël me një peshë globale më se modeste.

Por ajo dhe shqiptarët, kanë pasur mbështetjen më të jashtëzakonshme të këtij vendi të madh dhe kjo, jo se ne jemi një komb i zgjedhur, por vetëm e vetëm, se kombi i madh amerikan, qeveria e tij, besojnë se shqiptarët meritojnë e duhet ta gëzojnë lirinë, dhe se ne, duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar ne vlerat dhe parimet e lirisë, paqes dhe prosperitetit.

Për të gjitha këto, SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të mbeten miku, aleati më i çmuar, më kryesor e më strategjik i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

E vërteta është se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve këto 8 vitet e fundit kanë qenë të shkëlqyera, të ngushta dhe kanë njohur zhvillimet e tyre më kulmore.

Dëshmi e kësaj janë mbështetja e fuqishme, e gjithanshme, përcaktuese e SHBA-ve për ftesën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi në Afganistan, bashkëpunimi i shkëlqyer i agjencive tona të sigurisë në çështje shumë të rëndësishme, dhjetëra e qindra projekte të USAID-it të financuara nga qeveria amerikane, histori të vërteta suksesi në mbarë vendin, mbështetja e qeverise amerikane për integrimin e Shqipërisë në BE etj.

Momenti më kulmor i marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ishte vizita e parë dhe historike e presidentit të SHBA-ve, Georg W. Bush në Shqipëri më 10 qershor 2007 dhe mesazhet e tij po kaq historike dhënë në Tirane për shqiptarët dhe botën.

Presidenti i SHBA-ve, George W. Bush do zgjidhte Tiranën për të shpallur para Evropës dhe Botës me të famshmen “time is now”, qëndrimin, mbështetjen e një rëndësie vendimtare të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, si edhe mbështetjen e plotë të qeverisë së tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në një hark kohor të shkurtër, këto ëndrra kombëtare u bënë të vërteta. Një moment tjetër kulmor historik në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ishte edhe vizita e Sekretares Klinton me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë vizitë, që ishte dhe diamanti në kurorën e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, Sekretarja e Shtetit Klinton, do t’u drejtonte shqiptarëve dhe miqve tanë në mbarë botën nga salla e Parlamentit të Shqipërisë, mesazhin e saj historik “cilido që do të shohë demokracinë në veprim, të shkojë në Shqipëri”.

Dua të theksoj këtu se vizita e sekretares Klinton dhe mesazhi i saj, jehuan edhe me fuqishëm mbasi erdhën pas përpjekjeve antishqiptare të Edi Ramës dhe të ndonjë miku të tij, simpatizant i faqezinjve që u përpoqën me grevë urie dhe akte makabre të djegies për së gjalli të të sëmurëve psikikë për të penguar ardhjen e sekretares Klinton në Tiranë.

Të frytshme, miqësore dhe të shkëlqyera kanë qenë edhe dy takimet e mia në Uashington me sekretaren Klinton dhe spikerin e Kongresit amerikan, Boehner, por edhe miq e zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë dhe Kongresit të SHBA-ve.

Në aleancën dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-të, Shqipëria këto vite është përpjekur dhe nuk ka kursyer asgjë në mundësitë e saj modeste për të dhënë të gjithë ndihmesën e saj.

Ne kemi mbështetur vendosmërisht në kuadrin e NATO-s, OKB-ve etj, qëndrimet e qeverisë amerikane për paqen dhe sigurinë në botë. Ne nuk kemi çeduar nga asnjë lloj presioni apo interesi afat-shkurtër në qëndrimet tona në mbështetje te qëndrimeve strategjike të SHBA-ve për sigurinë.

Ne nuk jemi ndikuar nga miq apo të tjerë për votën tonë në OKB, siç bëri Rama për një pritje elektorale ende pa ardhur në pushtet duke siguruar kryeministrin Erdogan, mik i shquar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, se ai do të votonte pro rezolutës për statusin e Palestinës në OKB.

Ne nuk votuam për rezolutën jo se jemi kundër statusit të Palestinës, por sepse ajo anashkalonte SHBA-të, pa të cilat, konflikti i Lindjes së Mesme nuk mund të zgjidhet.

Ne mbështesim plotësisht zgjidhjen e problemit midis Izraelit dhe Palestinës, bazuar në dy shtete të pavarura në atë rajon, por shumica e sponsorizuesve të rezolutës nuk e njohin Izraelin, një vend mik për Shqipërinë.

Në marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, pavarësisht nga mundësitë tona tejet modeste, në çdo rast, qeveria shqiptare është përpjekur të bëjë maksimumin, madje në disa çështje sensitive problematike për SHBA-të, si ajo e Guantanamos apo e Kampit të Lirisë (refugjatëve iranianë) në Irak, ne pa ngurrim kemi bërë më shumë se çdo aleat tjetër i tyre. Por mbi të gjitha, marrëdhëniet tona me SHBA-të janë karakterizuar nga një dialog i hapur, miqësor, konstruktiv dhe i pandërprerë.

Në të gjitha takimet bilaterale apo në bisedat në samitet multilaterale me zyrtarët më të lartë të SHBA-ve, me presidentin George W. Bush, zëvendës-presidentin Chaney, Presidentin Obama, zëvendës-presidentin Joe Biden, Sekretaren Rice, Sekretarin Ramsfeld, Sekretaren Klinton dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës dhe Kongresit të SHBA-ve, kam qene dëshmitar i dashamirësisë, sinqeritetit, çiltërsisë dhe ndjenjave me miqësore të tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj mund të themi se realisht marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të, janë te shkëlqyera.

Këto marrëdhënie nuk u lëkunden nga asnjë lloj përpjekje, ndikimi direkt apo indirekt, nga kushdo qoftë. Aq më pak, mund të ndikoheshin ato nga zërat e thatë në shkretëtirë të Ramës që organizonte mitingun e protestës të nesërmen e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, apo të ndonjë miku të tij që për verbëri, e lë karrierën në malet e Ballkanit dhe me papërgjegjshmëri të plotë, u deklaronin shqiptarëve se Senati amerikan nuk do miratojë anëtarësinë e Shqipërisë në NATO, apo së fundmi, u bëri thirrje atyre të mos e dëgjojnë Uashingtonin, por ndonjë mikun e tij dhe të Edi Ramës.

Me gjithë këto, duhet te pranoj se deklarata e Ramës se ai po nisej në SHBA, për të përmirësuar marrëdhëniet me këtë vend, ka një të vërtetë të vogël personale. Kjo e vërtetë e vogël, të cilën Rama ka ende në memorie, lidhet me datën 28 janar të vitit 2011, kur vetëm disa orë para nisjes në Uashington, ai u detyrua te anulojë udhëtimin e të kthente baulet nga aeroporti për shkaqe që ai i di mirë, por që në këtë udhëtim u kapërcyen.

Si përfundim, mund të thuhet se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, janë vërtet të shkëlqyera, zhvillimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i tyre ka si kusht themelor konsolidimin në Shqipëri të demokracisë së bazuar në vlerat e tregut. SHBA-të janë aleati strategjik kryesor i Shqipërisë e i kombit shqiptar dhe se çdo luhatje në këtë drejtim është në kundërshtim të hapur me interesat jetike të kombit shqiptar.