Lubitz kishte praktikuar përplasjen e avionit ditën që shkaktoi tragjedinë

Ndihmës/piloti i avionit Germanwings, i cili u rrëzua në Alpet franceze në mars të këtij viti, kishte praktikuar zbritjen e shpejtë në një fluturim të mëparshëm, thuhet në raportin e ri të publikuar nga hetuesit francezë.

Bota

06/05/2015 17:24

Sipas këtij raporti, ndihmës/piloti Andreas Lubitz, derisa po fluturonte nga Duseldorfi për në Barcelonë, kishte praktikuar kthimin e avionit në pjerrtësi dhe shpejtësi duke e ulur në lartësi të paautorizuar, mirëpo pas reagimit të kapitenit, e kishte kthyer atë në pozicionin e lejuar.

Por gjatë kthimit, nga Barcelona në Duseldorf, të njëjtën ditë, më 24 mars, ndihmës/piloti Lubitz mbylli derën e kabinës dhe ia pamundësoi hyrjen kapitenit, i cili kishte shkuar në tualet, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Lubitz dyshohet se me qëllim e përplasi avionin Airbus 320 në alpet franceze, duke vrarë të gjithë 150 njerëzit që ndodheshin në bord.

Prokurorët gjermanë muajin e kaluar zbuluan se Lubitz kishte hulumtuar në internet metodat vetëvrasëse dhe sigurinë e derës së kabinës. Sipas prokurorisë, ai vuante nga depresioni dhe kjo është vërtetuar në gjetjen e një dokumenti të lëshuar nga psikologu, të cilin ai e kishte vizituar pak kohë përpara se të vriste veten 149 veta të tjerë.

Gjetjet në regjistruesin e zërit (Kutinë e Zezë) tregojnë përpjekjet dëshpëruese të pilotit duke bërë thirrje që t’i hapet dera e kabinës, derisa Lubitz merr frymë lehtë dhe nuk dëgjohen shenja të ndonjë sëmundje, por të përplasjes së qëllimshme. /lajmi.net/

Andreas Lubitz
Andreas Lubitz