Lëvizje e trupave amerikane në lindje të Evropës

Një konvoj i këmbësorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara po lëviz nëpër pjesën lindore të Evropës, për të treguar siguri në rajon, i cili është i shqetësuar se konflikti ndërmjet kryengritësve pro-rusë dhe forcave qeveritare në Ukrainë mund ta kërcënojë sigurinë e rajonit.

Bota

23/03/2015 20:17

Konvoji amerikan “Dragon Ride” po zgjon interesim dhe po përshëndetet nga njerëzit përgjatë rrugës së tij. Ka filluar javën e kaluar në Estoni dhe ka kaluar nëpër Letoni e Lituani, para se të hynte sot në Poloni.

Konvoji me flamuj amerikanë dhe shumë makina ushtarake të blinduara po kthehet për në bazën e tij në Vilsek të Gjermanisë.

Ata kanë marrë pjesë në ushtrimet ushtarake “Vendosmëria Atlantike”, me të cilën është treguar gatishmëria e NATO-s për t’i mbrojtur anëtarët e vet. Konvoji me ushtarët amerikanë do të ndalet në qytetet e Polonisë për tu takuar me banorë lokalë.

Polonia, që kufizohet me Ukrainën dhe Rusinë, thotë se ka besim në garantimet kolektive të sigurisë së NATO-s, por, po ashtu, ajo ka kujtime të këqija nga aleancat mbrojtëse me Britaninë dhe Francën, që dështuan kur Gjermania naziste e okupoi Poloninë, në vitin 1939, raporton AP nga Varshava, transmeton REL.

Gjenerali Boguslaë Pacek, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes së Polonisë, tha se NATO pret që anëtarët e vet duhet po ashtu ta krijojnë mbrojtjen e tyre.

Në një referencë të qartë për Rusinë, gjenerali Pacek tha se konvoji ushtarak i Shteteve të Bashkuara është shenjë për “ata në lindje” se NATO-ja është e fuqishme dhe unike.

Njëherësh, Polonia po e praktikon mobilizimin duke i ftuar qindra rezervistë që menjëherë të paraqiten për ushtrime ushtarake.

Gjithsej, afro 12 mijë rezervistë do të kalojnë nëpër forma të ndryshme të trajnimit këtë vit.