Leksioni i studentëve për opozitën

Sa për opozitarët e LDK-së dhe AAK-së, edhe atyre studentët po ashtu ua dhanë një leksion të vlefshëm: kur nuk e ke ndërmend ta rrëzosh Thaçin s’e heq dot as Gashin!

Opinion

12/02/2014 22:00

Të enjten dhe të premten që shkoi, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti t’i miratojë pikat e mocionit pas debatit parlamentar për gjendjen në Universitetin e Prishtinës. Deputetët e koalicionit qeverisës e braktisën seancën plenare dhe pamundësuan kuorumin e nevojshëm. Nuk po e bënin këtë gjë për herë të parë, por sigurisht që po përsëritej një praktikë e pashembullt gjetiu. Kur deputetët e pozitës bojkotojnë Kuvendin atëherë deputetët e opozitës e rrëzojnë qeverinë. Sepse kur qeveria ndërsen deputetët e saj ta evitojnë kuorumin, opozita ia heq besimin qeverisë – bojkotimi i kuvendit nga qeveria merr përgjigje adekuate dhe simetrike. Ky është rendi logjik dhe parimor, politik dhe parlamentar, i gjërave.

Dikush mund të thotë që opozita kosovare megjithatë nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë. Mirëpo, e kundërta është e vërtetë: megjithëse i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë, opozita nuk po e bën këtë gjë. Pra, jo numrat, por vullneti i mungon asaj, dhe, i mungon vullneti sepse, para së gjithash, i mungon interesi për ta rrëzuar qeverinë. Jemi dëshmitarë që dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, po kujdesen edhe më shumë se vetë PDK-ja që qeveria të mos rrëzohet. E qartë: për to më e rëndësishme është që të jenë vetë në qeverisjen e ardhshme (edhe bashkë me PDK-në) sesa që të ndërpritet qeverisja aq e keqe e PDK-së.

Në kuptimin politik, LDK dhe AAK janë bërë si dy reparte të fabrikës së amortizatorëve që ka për detyrë të sigurojë tranzicion sa më të qetë dhe sa më të lëmueshëm në vitin 2014, duke garantuar amortizimin për çfarëdo tronditje apo edhe dridhje politike. Madje, ato duan ndryshim aq të qetë e të lëmueshëm sa realisht të mos ketë fare ndryshim përmbajtësor por, eventualisht, ndërrim fytyrash të politikave të njëjta. Kohëve të fundit është bërë e dukshme si asnjëherë më parë se PDK, LDK e AAK kanë vrapuar në rrathët e njëjtë në këto 14 vitet e pasluftës duke ia bartur me kujdes stafetën njëra-tjetrës përgjatë kthesës së përhershme djathtas. Prandaj, kot bëhen rotacionet midis këtyre sepse asnjëra nuk ballafaqohet seriozisht me korrupsionin dhe krimet pararendëse që shënojnë të përbashkëtën e tyre të toleruar në mos edhe vepruese.

Kjo është arsyeja pse edhe atëherë kur qeveria i nxjerr deputetët e saj nga salla, për opozitarët e LDK-së e AAK-së kjo ende nuk është e mjaftueshme për ta ndryshuar qëndrimin e tyre në drejtim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Ata mendojnë që nga kjo qeveri të lirohemi në marrëveshje me këtë qeveri, gjë që paraqet rrugën e sigurt për të mos pasur me të vërtetë qeveri të re e qeverisje tjetërfare. Qeveria e PDK-ja mund të bëjnë ç’të duan por kjo nuk do ta cenojë durimin e LDK-së e AAK-së, të cilave horizonti i kuptimit edhe iu përkufizohet edhe iu dominohet nga PDK-ja.

Mocioni për Universitetin e Prishtinës përbëhej prej nëntë pikave shumë të arsyeshme kur kemi parasysh situatën tejet të rënduar pas skandalit të punimeve ose të dobëta ose plagjiatë të jo pak profesorëve me në krye ish rektorin Gashi. Pika e parë ishte më e rëndësishmja – ajo thoshte siç vijon: “Rektori dhe Këshilli Drejtues i UP-së ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr me UP-në. Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, z. Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t’i shërbejnë procesit të normalizimit në Universitetin e Prishtinës.” Mirëpo, tash të gjithë e dimë se ish rektorin Gashi nuk arriti ta shkarkonte i gjithë Kuvendi i Republikës së Kosovës, por këtë e bënë studentët radikalë për të cilët vazhdimisht thuhej se janë të paktë në numër. Madje edhe në seancën vijuese të së martës, kur sërish nuk kaluan pikat e tjera të mocionit, u vërtetua që sa për Kuvendin e Republikës, Ibrahim Gashi do të vazhdonte edhe shumë gjatë të mbetej rektor i universitetit tonë publik.

Dorëheqja e Ibrahim Gashit ishte gjithsesi edhe e vonuar edhe e pasinqertë duke shkaktuar kështu shumë humbje kohe e energjie. Asnjëri prej problemeve të krijuara s’ka qenë e thënë të ngjajë – Ibrahim Gashi ka mundur të japë dorëheqje qysh në fillim. Mirëpo, a është përnjëmend krejt kështu? Ka shumë mundësi që ish rektori Gashi edhe e ka menduar dorëheqjen më herët e madje edhe e ka planifikuar atë, por në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, u pa hapur që edhe nëse ish rektori Gashi dëshiron që të japë dorëheqje është kryeministri Thaçi ai që nuk ia lejon një gjë të tillë. Mbrojtja brutale që ia bënte kryeministri Thaçi ish rektorit Gashi duke sulmuar pa mëshirë të tjerët ishte aq e ashpër a thua se bëhej fjalë për vetë Thaçin! Në fakt, edhe bëhej fjalë për vetë Thaçin. Zelli me të cilin Thaçi mbrojti Gashin në javën që shkoi ishte pasion para pasqyrës. E thënë ndryshe, të shtunën në mbrëmje nuk dha dorëheqje Ibrahim Gashi por Hashim Thaçi: tërheqja e Thaçit u shpërfaq si dorëheqje e Gashit.

Atëherë, shtrohet pyetja, pse Thaçi u tërhoq të shtunën? U bë pishman për ato që tha në seancën e së enjtes? Sigurisht, që jo. U bënë shumë protesta të përditshme të studentëve që ia ndërruan mendjen? Edhe një herë, sigurisht që jo. Thaçi u tërhoq për shkak të protestës të së hënës me 10 shkurt që nuk u mbajt – pra, Thaçi i frikësohej protestës së ardhshme e cila do të bënte që Gashi të lidhej pashkëputshëm me të. Të shtunën në mbrëmje ish rektori Gashi nuk u nda nga UP-ja sepse universiteti ynë është përplot me ibrahim gasha; atë natë Hashim Thaçi u nda nga Ibrahim Gashi dhe e la atë të fundoset i vetmuar.

Përfundimisht, kryeministri Thaçi u detyrua të tërhiqet e, për pasojë, ish rektori Gashi të dorëhiqet, për shkak të studentëve radikalë të UP-së të cilët dëshmuan që edhe një numër jo i madh i njerëzve të sinqertë e të vendosur, të mirë e të drejtë, shkaktojnë ndryshime që s’i bën dot as Kuvendi i Republikës. Mbi të gjitha, ata vërtetuan edhe thënien e mirënjohur të Gandhit, se fillimisht të injorojnë, pastaj të përqeshin, mandej të luftojnë e pastaj ti fiton, apo jo? E sa për opozitarët e LDK-së dhe AAK-së, edhe atyre studentët po ashtu ua dhanë një leksion të vlefshëm: kur nuk e ke ndërmend ta rrëzosh Thaçin s’e heq dot as Gashin!