LajmiVOX: Qytetarët kërkojnë zgjedhje të parakohshme (Video)

Deri tash ishin partitë opozitare ato që kërkuan që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por këtyre ditëve kemi dëgjuar edhe deklarata të krerëve të dy partive në pushtët se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

24/10/2016 17:26

Ditë më parë kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç ka thënë ai, nëse partitë politike në pozitë dhe opozitë dakordohen. “Organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është fundi i botës, në qoftë se vlerësohet që është në të mirë të vendit”, ka deklaruar Veseli.

Edhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike e Kosovës(LDK) shprehen të gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në vend, nëse partneri i madh i koalicionit (PDK) insiston për një gjë të tillë.

Por çfarë mendojnë qytetarët?

Në pyetjen se a duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, ata thonë se në këtë krizë politike në vend janë mese të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme.

“Para një viti kur opozita kërkonte zgjedhje të parakohshme, pozita nuk dëshironte. Tash siq duket kanë ndryshuar marrëdhëniet ndërmjet dy partnerëve të pozitës për shkak të riformatimit të qeverisë. Më duket që PDK nuk dëshiron me ndryshuar ndërsa LDK dëshiron me bë riformatizim të qeverisë. Ndërsa opozita duket se është e gatshme”, tha një qytetar për rubrikën “LajmiVOX”.

“Kosova ka pas nevojë me parë me shkuar në zgjedhje të parakohshme, se ajo do të ishte e vetmja mundësi me dal sa ma parë prej krize që kanë krijuar qeveritaret. Edhe pse është vonë. Kishte me qen mirë me shkuar në zgjedhje dhe me krijuar një qeveri normale se sa që është kjo”, u shpreh një qytetar.

“Sa ma parë duhet me shkuar në zgjedhje”, tha një qytetar.

Mirëpo ka edhe nga ta të cilët thonë se zgjedhjet nuk duhet të ketë.

“Nuk duhet me shkuar vendi në zgjedhje”, tha një qytetar.

Në vazhdim ndiqni opinionin e të anketuarve.