Ekskluzive: Lajmi.net zbulon detaje të reja shokuese për skandalin e kurdisjeve në Kosovë

"Lajmi.net" sjell informacione të reja në lidhje me skandalin që ka dridhur futbollin e Kosovës.

Sport

05/04/2017 13:25

Skandalet e kurdisjeve në futbollin kosovar tashmë marrin përmasa të mëdha.

Në takimin mes gjyqtarit Bajram Gashi dhe trajnerit Ismet Munishi, ishin edhe vëzhguesi Ali Ajeti dhe gjyqtari anësor, Edmond Zeqiri.

“Lajmi.net” mëson se Ali Ajeti është vëllai i Ismail Ajetit, kryetarit për regjionin e Prishtinës, ndërsa në anën tjetër Edmondi është djali i Xhafer Zeqirit, kryetarit të Lidhjes së Gjyqtarëve të Prishtinës.

Takimi mes tyre ka ndodhur pa u përcaktuar gjyqtarët për ndeshjet e xhiros së 24-të, që luhet në mesjavë.

FFK vendosi që pikërisht Gashi ta ndajë drejtësinë në ndeshjen Drita-Prishtina. Në videon e publikuar Gashi tregoi se si e kishte ndihmuar edicionin e kaluar Dritën që ta mposhtë Prishtinën pas më shumë se 10 vitesh.

Ai tregon se si kishte ndërhyrë direkt në rezultat me vendimet e tij. Gashi po ashtu tregon një thirrje që i ishte bëri edicionin e kaluar për ta mposhtur Prishtinën, shërbim të cilin e kishte kryer pa asnjë cent bakshish.

Temë diskutimi ishte edhe ndeshja e sotme ku Gashi ishte deleguar fillimisht si gjyqtar para se të largohej pas publikimit të videos. /Lajmi.net/

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy