Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë sot për anëtarësim në NATO

Parlamenti i Malit të Zi sot pritet ta ratifikojë marrëveshjen për anëtarësim në NATO, duke e bërë një kthesë historike kah perëndimi, megjithë protestat nga aleati tradicional Rusia dhe opozita malazeze proruse.

Lajme

28/04/2017 14:34

Partitë opozitare kanë thënë se do ta bojkotojnë seancën e sotme parlamentare.

Disa qindra mbështetës të opozitës janë tubuar afër ndërtesës së parlamentit në Podgoricë duke brohorutir “tradhti” dhe “hajna”, derisa ligjvënësit nga koalicioni i partive në qeveri kanë ardhur në parlament.

Zyrtarët konsiderojnë se anëtarësimi në NATO do të sjell stabilitet dhe përfitime ekonomike për Malin e Zi, me 645 mijë banorë.

Pas ratifikimit të pritur në Parlamentin e Malit të Zi pritet që ky vend të bëhet anëtar i plotfuqishëm i aleancës veriatlantike, në samitin e NATO-s më 25 maj.