Kuvendi duhet të vendos për EULEX’in para qershorit

Partitë politike mendojnë se Kuvendi i Kosovës duhet të vendos për fatin e misionit të EULEX’it në Kosovë, para se të shkohet në zgjedhje. Behar Selimi thotë se ky mision nuk duhet të ketë fuqinë ekzekutive që aktualisht ka.

Lajme

26/02/2014 20:17

Para se Kuvendi të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje, deputetët duhet të marrin një vendim sa i përket të ardhmes së misionit të EULEX’it.

Deputetja nga radhët e LDK’së Vjosa Osmani, mendon se një vendim i tillë mund të mirret edhe para muajit qershor, atëherë kur mendohet se do të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje.

Partitë politike konsiderojnë se Kuvendi duhet të marrë një vendim para muajit maj

“Nuk është e domosdoshme që kjo punë të bëhet në qershor sepse kjo punë mund të bëhet edhe më herët, pra para se të shpërndahet Parlamenti”.

“Mund të bëhet edhe në prill dhe në qoftëse shtetet anëtare të BE’së e përfundojnënegociatat e tyre apo konsultimet e tyre më herët, atëherë Kuvendi mundet, para se të shpërndahet ta marr një vendim të tillë”, ka thënë Osmani në një prononcim për KTV.

Në anënë tjetër,Behar Selimi nga PDK, mendon se Kosova ende ka nevojë për EULEX, por që ky mision të ketë më shumë detyra monitoruese se sa fuqi ekzekutive. Ai mendon se Kosova duhet të marr në dorë vet sundimin e ligjit.

“Po unë mendoj se nuk ka asnjë arsye për të qenë kontradiktorë, kundërthënës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit sa i përket misionit”.

“Është definitivisht e qartë që ne do të kemi nevojë për mision ndërkombëtar të sundimit të ligjit edhe për një kohë. Do të kemi nevojë për vepra krejt specifike penale. Do të kemi nevojë për monitorim nga ana e tyre më tepër sesa për fuqi ekzekutive”.

Ka ardhur koha që të sprovohemi edhe vet”.

Ndërkaq, Driton Selmanaj nga KDI mendon se Kuvendi duhet të marr vendim për fatin e EULEX’it para se të shpërndahet, në mënyrë që ky mision të përforcojë prezencën e tij dhe të forcojë legjitimitetin e saj.

“Edhe nëse kjo nuk do të ndodhte që Kuvendi i Kosovës para shpërndarjes të merrte një vendim, EULEX’i ka një bazë për të vazhduar”.

“Por në mënyrë që të fuqizohet prezenca e tij dhe legjitimiteti i tij, mendoj se Kuvendi i Kosovës para shpërndarjes duhet që me një votim të vendos sesi do të jetë fati i këtij misioni në Kosovë. po flas gjithmonë nga këndvështrimi i Kuvendit të Kosovës sepse nga këndvështrimi i rezolutës 1244 ai pothuajse misionin e ka shumë të qartë”, ka thënë Selmanaj për KTV.