​Kurti: Kushti për anëtarësim në KiE ishte dhe mbetet absurd

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas…

Lajme

08/05/2024 13:14

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas tij jo vetëm që nuk është parimore dhe vlerore por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e KiE-s.

Kurti e quan absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, si kusht për anëtarësim në KiE.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se Kosova ka ofruar që ky dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe pjesë e aneksit të zbatimit Ohrit, porse potencoi se është refuzuar nga Serbia.

Ai tha se nuk pritej që pengesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të bëheshin shtete demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jetë përkrahëse të shtetit tonë për zhvillim e demokratizim.

“Nëse me datë 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, atëherë ai draft statut do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Drafstatuti i emisarit Lajçak dhe emisarëve të tjerë dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, është nonpaper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar, e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ka qenë dhe mbetet absurde. Përkundër kësaj, tri herë përgjatë procesit u tentua që të futet kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim…Kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës jo vetëm që nuk është parimore dhe vlerore por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e Këshillit të Evropës…Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtete të cilat deri më tani nuk e kanë njohur republikën e Kosovës. Por, assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtete demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillime demokratizim”,tha Kurti.

Kurti potencoi se kushtet e vendosura nuk kanë të bëjnë aspak me standardet anëtarësimit në këtë organizatë.

“Në këto javët e fundit u përballëm me një kushtëzim i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë (Këshillin e Evropës). Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, kusht ky që hyn në shtyllën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ky dokument i sjell tek ne nga përfaqësuesi special i bashkimit evropian për dialog, Mirslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatik të shteteve të QUIN-tit, nuk u pranua me 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që e ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe pjesë e aneksit të zbatimit Ohrit e cila është pjesë integrale e tij dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe zbatueshëm. Por, u pat refuzua nga Serbia”, potencoi Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se Kosova do anëtarësim meritor, sepse konsideron se e meriton anëtarësimin.

Ndërkaq, Gjermania dhe Franca të hënën kanë thënë se procedimi i drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj.

Derisa shteti më i fuqishëm brenda KiE-së, Britania e Madhe, i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë.

Mbledhja e radhës e ministrave të Jashtëm të KiE-së do të bëhet me 16-17 maj ku edhe do të vendoset përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.