Kush është këtu ISIS-i?

“Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, dhe futja e forcave ndërkombëtare, afro 141 objekte ortodokse serbe janë shkatërruar plotësisht apo dëmtuar rënd, kurse vetë UNESCO i ka futur këto katër perla të trashëgimisë botërore: manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës, Graçanicës dhe kishën e Shën Leviskes, në listën e trashëgimive botërore të rrezikuara. Në shumë nga objektet e shkatërruara ende mund të shihen parullat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kërcënimet ndaj serbëve, dhe së fundmi grafite me mbishkrime të organizatës terroriste Shteti Islamik, të cilët i kanë specialitet dëmtimin e objekteve kulturore dhe fetare, por që fatkeqësisht kjo punë në Kosovë bëhet tash e shumë kohë”.

Opinion

14/10/2015 15:29

Me këto fjalë kryeministri serb Aleksandar Vuçiq i është drejtuar një ditë më parë me një letër shteteve anëtare të UNESCO-s, me kërkesën që Kosova të mos pranohet në organizatën e Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë. Por le të lëmë mënjanë çështjen se a mundet (dhe mundet) të pranohet në UNESCO një vend i cili shkatërron objektet fetare të pakicave.

Por, pyetja e parë qëndron mbi atë se sa është e vërtetë deklarata për 141 prona ortodokse të dëmtuara, ashtu siç edhe Vuçiq pretendon në letrën dërguar anëtarëve të UNESCO-s, në të cilën shkruan më tej, “shkatërrimi i krishterimit serbë dhe trashëgimia kulturore asnjëherë nuk është hetuar tërësisht”. Megjithatë nuk ka dyshim që kisha ortodokse serbe në Kosovë në periudha të caktuara të historisë së fundit ka qenë nën sulm, dhe pretendimi i kryeministrit serbe në këtë drejtim është pjesërisht i saktë.

Megjithatë, letra e tij dërguar shteteve anëtare të UNESCO-s është hipokrite për faktin se nuk përmendet fare shkatërrimi i xhamive dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë gjatë të njëjtës periudhë, kryesisht në vitin 1999. Por për ti përkeqësuar edhe më shumë gjërat, kryeministri ka pasur në çka të thirret kur bëhet fjalë për këtë segment të shkatërruar.

Dëshmitari i Hagës për rastet “Millutinoviq dhe të tjerët” dhe “Xhorxheviq”, eksperti amerikan i trashëgimisë kulturore otomane në Ballkan, Andras Rieldmayer, në raportin e ekspertizës dhe dëshmive pati thekuar para gjykatës, se në Kosovë gjatë intervenimit të NATO-s gjatë vitit 1999, ishin shkatërruar plotësisht ose pjesërisht 225 nga 607 objekte islame në Kosovë. Deri tek ky përfundim kishte ardhur në bazë të hulumtimeve të pasluftës, e cila përfshinte vizitat në çdo xhami të dëmtuar dhe intervistat me personat që kishin gjetur diçka brenda tyre, ku të gjitha këto hulumtime i kishte kryer gjatë viteve 1999-2001. Është e rëndësishme të theksohet se në bazë të dëmeve, të cilat ishin shkaktuar kryesisht nga brenda apo nga shpërthimet e komanduara nga jashtë, kishte ardhur në përfundim se shkatërrimet ishin kryer nga toka e jo nga ajri. Nëse e përjashtojmë teorinë e konspiracionit se shqiptarët ishin përgjegjës për shkatërrimin e xhamive të tyre, duke përfshirë perlën e vërtetë kulturore (Xhaminë e Hadumit në Gjakovë e cila daton që nga shekulli i 16-të, dhe e cila është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s), mund të konstatohet me siguri të plotë se për gjithë këto dëme janë përgjegjës serbët.

Dhe jo vetëm kaq. Në një numër të rasteve në të cilat provat ishin të mjaftueshme, në aktgjykimet e Hagës është arritur në përfundim se xhamitë e Kosovës janë shkatërruar nga ushtria e rregullt dhe njësitë policore serbe, si pjesë e dëbimit të civilëve shqiptarë nga Kosova. Kështu në radhë të parë janë dënuar me burgim afatgjatë përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Serbisë dhe RFJ-së të Jugosllavisë (zëvendëskryeministri Nikolla Shainoviq, gjeneralët e ushtrisë, Dragolub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Llazareviq dhe gjenerali i policisë Sreten Llukiç), ndaj të cilëve thuhej: “sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, ata në mënyrë sistematike kishin terrorizuar civilët shqiptarë të Kosovës nga forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, dëbuar nga shtëpitë e tyre, si dhe plaçkitur dhe shkatërruar qëllimshëm pronën e tyre, dëshmojnë edhe më shumë se ka pasur fushatë të dhunës të drejtuar kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, gjatë së cilës ka pasur incidente, vrasje, përdhunime dhe shkatërrim të qëllimshëm të xhamive. Në fakt veprimet e qëllimshme të këtyre forcave gjatë kësaj fushate, ishte shkaku i dëbimit të paktën 700.000 shqiptarëve të Kosovës në periudhën kohore mars-qershor 1999”.

Ju sjellim vetëm një shembull në bazë të cilit trupi gjykues ka arritur në një përfundim të tillë:

“Dhoma e gjykatës në bazë të dëshmisë së Sabri Popaj që pjesërisht është pranuar, dhe të Agim Jemini, Reshit Salihi dhe Andras Riedlmayer, konstaton se xhamia në Celinë ishte shkatërruar në mars të vitit 1999 nga forcat e MUP-it, duke përdorur një lloj eksplozivi”.

“Dhoma ishte bindur se minarja e xhamisë në Suharekë ishte shkatërruar më 28 mars të vitit 1999… Bazuar në të gjitha provat në lidhje me xhaminë, dhoma ishte e bindur se këtë akt e kishin kryer pjesëtarët e MUP-it serb”.

“Dhoma e posaçme e gjykatës, konstaton se më 27 mars të vitit 1999 forcat e Ushtrisë Jugosllave dhe të MUP-it, kanë djegur shtëpitë dhe së paku një xhami në Vushtrri”.

“Bazuar në dëshminë e dëshmitarit K81, të cilën Dhoma e konsideron të besueshme për këtë çështje, dhe dëshmia e Andras Riedlmayer e cila është vërtetuar pjesërisht nga Dushan Gavraniq, konstaton se është dëshmuar se xhamia në Vllahi është djegur nga ushtarët e ushtrisë jugosllave dhe fshatarët e armatosur serb, disa prej të cilëve ishin të veshur me uniforma policore blu”.

“Gjatë operacionit të 25 marsit 1999, shqiptarët e Kosovës nga fshati Piranë (Komuna e Prizrenit), kishin ikur nga shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve të fshatit dhe djegies së shtëpive nga ana e UJ dhe MUP-it. Në të njëjtën ditë, forcat e UJ dhe MUP-it kanë sulmuar fshatin Celinë (Rahovec), duke plaçkitur dhe djegur shumicën e shtëpive. Pjesëtarët e policisë gjithashtu kishin shkatërruar qëllimisht xhaminë e këtij fshati”.

Kujtojmë se konkluzione të ngjashme të Dhomës së Gjykatës i kishte konfirmuar edhe gjenerali serb i MUP-it, Vllastimir Xhorxheviq, dhe se pretendimet e dy vendimeve në lidhje me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore islame ishin pranuar në ankesa. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet se edhe aty ku nuk është pranuar argumenti i prokurorisë se policia dhe ushtria serbe ishin përgjegjëse për shkatërrimin e xhamive, ende ekzistojnë dëshmitë rreth pranisë së njësive të ndryshme serbe në vendet ku kanë ndodhur këto incidente, por për shkak të pragut të lartë të provave të vëna në Tribunalin e Hagës, nuk është pranuar se pjesëtarët e këtyre njësive ishin me të vërtetë autorët e krimit.

Kështu, jo vetëm që gjatë vitit 1999 serbët kishin shkatërruar një numër të madh të xhamive dhe monumenteve tjera të kulturës islame në Kosovë, por këtë e kishin bërë edhe pjesëtarët e forcave të sigurisë, dhe për këtë janë dënuar përfaqësues më të lartë politik, ushtarak dhe policor të Republikës së Serbisë.

Kurse Serbia vazhdon të jetë anëtare e organizatës UNESCO.

Autori është gazetar i agjensionit SENSE