Kurti: Po na largohet Evropa e po na rrudhet Kosova

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar deklarimet e Komisionarit të BE-së, Johannes Hahn, se kosovarët duhet të presin ende për liberalizimin e vizave.

Lajme

03/12/2018 19:43

Kurti në një postim në Facebook ka thënë se për herë të parë një zyrtar i lartë i BE-së përmendi datë për liberalizimin e vizave në Kosovë, përcjell lajmi.net.

“Për herë të parë një zyrtar i lartë i BE-së përmendi datë për liberalizimin e vizave në Kosovë. Komisioneri për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, foli e tha: viti 2020! Datat e mëhershme për liberalizim në vitin 2018, i kishin premtuar veçse Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Dhurata Hoxha. Të tre këta duhet të japin dorëheqje”, ka shkruar Kurti.

“Po ashtu, ky pushtet ia ka borxh 8.200 hektarë shtetit tonë, të cilat ia dha Malit të Zi. E sa për Thaçin, ai mbase tashmë po negocion për liberalizim të vizave për Rusi. Me këta njerëz po na largohet Evropa e po na rrudhet Kosova”, ka shtuar tutje Kurti. /Lajmi.net/