Kundër qenve – Lajmi.net
Kundër qenve
Autori: Ilir Muharremi Op-EdOpinion 20:58, 1 February 2017
Jam i goditur nga tmerri, nga ëndërrimet e kota dhe të largëta, provoj të ecë në rrugë i vetmuar, harroj që shkel këmbët e qenve të cilët koti ngrohën në diell, nuk jam asnjëri nga ata edhe pse vijë nga ky vend.

Në fytyrat e njerëzve vërej britmat e dhimbjes, mallkimet dhe fjalë sharëse, lodhjet nga padrejtësitë që u bëhen çdo ditë dhe e dini se çfarë mendojnë në vete: “Do të bëhet mirë”, ushqejnë shpresë të kotë. Në këtë vend, portat e ferrit për të gjithë janë të hapura, çdo ditë bëjmë jetën e endacakëve, pështyjmë mbi pjatat e të varfërve, lyhemi me djersën e tyre, pastaj prapë “jemi nën shërbim të tyre”, dhe ngordhim si qen, krejt jemi endacakë të humbur, vetëm se unë distancohem nga kjo tufë, ecë në një rrugë i vetmuar, si një udhëtar i përhumbur.

Jam i zhgënjyer prej shoqërisë, i shkelur, krejt sepse nuk jam servil, jam si armik për vdekje, andaj jam i goditur nga tmerri. Edhe qeni mund të ofendohet sepse krahasohet me njeriun, (le të rri me një anë sepse jeta e qenit dhe njeriu nuk dallon fare në Kosovë), dhe ka njerëz (sidomos pushtuesit lakmitarë), që veten e identifikojnë me ujk, por edhe fuqia e ujkut ndodhet në tufë. Prapë jemi një tufë qensh, ose tufë ujqërish të tërbuar që vrasim vetminë e shpirtit të ndërgjegjësuar.

Për shembull Nietzsche klithë: “Më mirë të mos dish asgjë, sesa t’i dish në mënyrë gjysmake.” Këta gjysmakë, politikanë të cilët i merrnin notat nëpër korridore, tashmë kanë zënë edhe pozita menaxheriale nëpër Fakultete dhe çdo ditë lexojnë fshehurazi fragmente nga librat, vetëm ato që ju hyjnë në punë, për tu mbrojtur me sulm gjysmak, bëhen të rrezikshëm për arsimin dhe shkencën. Po ku marrin veshë nga shkenca ata! Kush guxon të ju thotë jo, këtyre qenve, ose të qohet kundër tyre. Të revoltuarit e vërtetë kanë vdekur në libra, këta të revoltuar të sotëm refuzojnë, kanë frikë, por nuk do të thotë se kanë heqë dorë, ata poashtu thonë “po”. Përmbajtjen e “jo”-së do ta shtroja se gjërat kanë zgjatur tepër, “po e teproni, o qen”, ka ardhur koha e të përtejmes. Të ndaloni, dhe të ndaloni, o të mjegulluar, të luhatur dhe të padijshëm.

Përpiqeni edhe të mohoni cakun e të drejtave, atëherë nuk më ha fortë malli jam i verbër. Aty ku dua të ngulmoj për njohurinë, shkencën, jam shumë i ashpër dhe i drejtë, kërkimtar ekstrem aspak i lëkundur. Si duhet qarë rrjedhën e jetës? Me mundin dhe gjakun, kështu zgjerohet horizonti i njohjes. Me cilin mundë e bëtë ju bastardët politikë? E bletë me para dijen dhe shkencën dhe sipër vendoset tabelën e vullnetit për pushtetin. Gjithnjë të jesh i pari. Pajtohem, por me arsyen meritore dhe vërtetimin real për të arritur rrugën e madhështisë. Mos përbuzë veten dhe mos bjerë poshtë para tjetrit për qëllimet tua të rrejshme. Thuaje të vërteten përdore si shigjetë.

Qentë politikë (të ngritur në poste arsimore) frymojnë rrejshëm, pa shkencë të mirëfilltë, punimet shkencore (në avancime) i kanë gjysmake, të vakëta, në revista jo kredibile, dhe ata e dinë këtë dredhi, dhe luftojnë të radhiten me shkencëtarin e vërtetë. Turp dhe gjithnjë jam kundër këtyre qenve, e thash dalloj nga këta. E dijë, jam më i dobët sepse këta qen jetojnë në tufë, sikurse popujt e më hershëm që ishin krijues, krijimi qe në kolektiv, vetëm më vonë individët u bënë krijues dhe këta janë edhe sot krijuesit me krijim më të ri. Ky individët, sot në Kosovë, duhet të jetë i zëshëm, pa frikë, më këllqe deri në tokë, të ju thotë shkurt publikisht “jo”, me qëllim të sundimit të së vërtetës. Po harroj se kënaqësia e kopesë dhe tufës është më e lashtë sesa ajo e unit. Rreziku që ky individët do shtypet edhe më tej, nëse revoltohet kundër qenve sepse bëhet armiku më i madh i tyre. Lëreni ta thotë të vërtetën. Nuk jeni aq të mëdhenj siç mendoni, qofshi së paku të mëdhenj të turpëroheni para vetes.

Para se të  “lartësohen”, u thirren në uniformë, dhe shohë shumë ushtarë, edhe pafsha, dhe quhet uniformë ajo që e veshën, por nuk qe uniformë ajo që fshehën nën të. Ndanë pronat, blenë shkollat, i ujiten mendimet dhe zaptuan gjithçka. Armikun duhet ta kërkoni, po pastaj edhe luftën ta luftoni, por sinqeriteti duhet të shpallë triumfin, kjo asnjëherë nuk u bë. Populli jeton nën presion dhe mashtrim. E keni ditur që lufta dhe guximi bëjnë punën më të madhe dhe “trimëria juaj” u thirr si shpëtimtare për të gjithë. U bë biznes gjaku i martirëve të vërtetë dhe ndoshta dikur e vërteta me ndihmën e ligjeve të natyrës do ta peshoj të vërtetën, sepse besoj në ligjin e barazisë. Keni shpirt, por jeni të shëmtuar dhe ajo çfarë i bëtë shtetit dhe arsimit, vështirë që do të rilindë e shëndoshë më.

Më e keqja, kur visheni me sako, këmishë dhe pantallona të shtrenjta, ndërroni qëndrim në të ecurit, lëvizjet e duarve nuk i kontrolloni, ju duket vetja intelektual, por gjithnjë e dini se thonjëzat i keni sipër kokës. Kur flisni para turmës batuat janë të paqarta, përsëritni mendime, këtë populli e ha, mirëpo nëse dilni jashtë shtetit ngjani me palaçon. Aty mund të ndihmoheni vetëm me mendime tuaja.

Edhe shtetin e bënë gënjeshtar, mashtrues dhe çfarëdo që kanë në pronësi e kanë të vjedhur. Edhe zorrët e barkut i kanë të shtira. Shihni si ulërijnë këto bisha; “Unë jam më i madhi dhe gishti rregullues”. Në gjunjë ju bien vetëm të shurdhrit dhe mediokrit, ose ata që pinë verë nga kupa e tyre. Më parë preferoj ferrin se të pijë nga kjo kupë. Këta qenë politikë preferojnë të nxehen në diellin e ndërgjegjeve të pastra. Janë në gjendje të japin gjithçka, vetëm t’i adhuroni dhe të ngjiten në pushtet. Ata janë peshkatarë të ndërgjegjeve të pastra. Ikni nga bastardët politikë. Ata krijojnë shtet dhe i ngopin të gjithë me helm. Më lartë përmenda punimet shkencore, por edhe doktoraturat i kanë të vjedhura nga veprat e shpikësve dhe thesaret e të urtëve, dhe punim, shkencë të re quajnë grabitjen që e bënë. Edhe më keq, aq kanë gëlltitur sa që s’po mundin ta tretin.

Kanë fituar pasuri, realisht janë bërë më të varfër. E kërkojnë pushtetin, por janë impotentë. Kur mendojnë se e kanë fituar, fillojnë të kacavirren, dhe duken si majmunë të shkathtë dhe në fund bien në humnerë. Pse e kërkojnë fronin, ndonëse në fron nuk është lumturia. Edhe fronin e baltosin majmunët politikë. O vëllezër të sinqertë, a doni të jetoni si këta dhe të bëheni si këta? Më mirë thyeni xhamin e dritares e kërceni jashtë.

Vendi pa emocion

Çfarë mund të them për vendin tonë?   Nëse hyn në kryeqytet, nuk ndjehesh i emocionuar: pallate të ndërtuara njëra mbi tjetrën, zhurmë, makina që fluturojnë, disa të parkuara pranë torturave. Posa arrin më në qendër vëren sheshin kryesor nëpër të cilën kam kaluar aq herë si fëmijë dhe vazhdoj të kalojë çdo ditë, dhe aspak nuk ndjehem i emocionuar. Përkundrazi po mendoja se ky shesh i rrafshët në të cilën dikur kalonin makinat, dhe  tash nxjerrin kokat Teatri, ndërtesa e madhe e Qeverisë dhe Ministria e kulturës, duket si një hapësirë lypsesh (pa gjymtyrë, pa një dorë, të çmendur) të cilët nuk mungojnë që në hyrje të sheshit e deri në krye të tij. Andaj,

Shoh fytyra të lodhura, të shëmtuara, plot ankth, depresion dhe këta njerëz i gjuajnë me gurë qentë endacakë të cilët janë të mbledhur rreth shportave të mbeturinave, plot qelqe të thyera, ku një pjesë e mbeturinave rreshtohet përreth shportës. Vërej vajza të reja, të bukura , të këndshme sikurse çdo fillim, pastaj kur lidhesh me to, fillon me puthjen e parë, të palluarit e parë, me një fjalë të gjitha këto kanë një dramaticitet të papërcaktuar. Në lidhje më të gjatë i nxjerrin brirthët, defektet gjersa shfaqet marrëzia. Te secila rreshtohesh si i dyti.

Kompleks kryesor tek çiftet në vendin tonë është martesa. Vullnet i instaluar në dy qenie. Të drejtat e barabarta kur dihet se kemi jetuar dhe jetojmë në një mentalitet mysliman (femra është vetëm pronë, kurse mashkulli burrë-Zot.) Kjo tashmë është bërë e padurueshme për femrën kosovare, ajo ulërinë për barazi (ka të drejtë, punon, lexon, ndoshta ka edhe doktoraturë), në pamundësi, mashkulli kosovar e përballon një gjë të tillë. Sepse sipas tij, femra duhet të kujdesët për shtëpinë, jeton me varfëri shpirtërore. Ah, ç’ndyrësi, por edhe ç’kanqësi e pështirë e dyfishtë! Duhet të kuptohet se gjithçka tashmë është dyfishë. Femra përdoret si peshk, mashkulli si rrjetë  të cilën e konsideron qiellore. E po fare se dua këtë qiell të kotë.

Shpesh burrat nisen si hero në kërkim të vërtetës (gruas ideale në martesë), më në fund e vërejnë se ishte mashtrim banal, i lyer me plot stoli. Në fillim femra luan butësinë (të bind me të folurit, pajtohet me çdo batutë tënde, të përkrah në çdo gjë), pret momentin kulminant-martesën. Ndodh kjo, të izolon nga antarët e familjes, të distancon, lind një fëmijë, bashkë me fëmijën tënd kthehet kundër teje. Nuk thuhet kot se gruaja e përdorë fëmijën. Andaj, martesë e quani ju këtë? Një burrë tjetër ishte martuar për shkak se kishte menduar se i ka ikur mosha, poashtu edhe tek femrat e njëjta është kjo. U bë shërbëtor i asaj gruaje. Tjetri ishte martuar sepse e dashura i ngeli shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës gruaja shfaqi xhelozi të sëmurë, burri qe i detyruar ta tradhtonte, dhe martesa u prishë. Dashuri quani ju gjithë këto? Dashuria ekziston para martese, në martesë ajo zbehet.  E si mund të dashuroni kur nuk dini ta duani mbi veten tuaj. Në çdo dashuri ka hidhërim, prandaj ekziston etja dhe pini nga fundi i gotës së hidhur të dashurisë suaj.

Më thoni si të prodhojmë fëmijë kur jetojmë në një vend me plot qen endacak dhe demonë politikë?

Fjalët kyçe: Ilir Muharremi, kunder qenve

Fotolajm

Trudeau ndihmon një të ri me karrocë (Foto)
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Zombie Big Trouble
  • Play 8 Ball Pool
  • Play iStunt 2
  • Play Rock Wheels