Kujdes nga delet e sëmura

Pas informatave që në disa zona të Kosovës është shfaqur sëmundja e kafshëve e njohur si "gjuha blu", autoritete lokale nga Drejtoria për Bujqësi, Blegtori dhe Zhvillim Rural në Ferizaj u kanë bërë thirrje fermerëve, që të shtojnë kujdesin e tyre me rastin e qarkullimin e kafshëve nga një vend në tjetrin.

Lajme

21/09/2014 15:47

Bëhet e ditur se në kuadër të masave preventive, zyrtarë të kësaj drejtorie tashmë nëpër të gjitha fshatrat dhe tek të gjithë fermerët e Komunës së Ferizajt kanë shpërndarë njoftimi për masat që është duke marrë kjo drejtori në bashkëpunim me Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) rreth masave mbrojtëse.

“Këto janë vetëm masa preventive për parandalimin eventual të kësaj sëmundjeje, pas informatava se ka shenja se janë paraqitur disa raste edhe në Kosovë”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Ferizaj, Xhemajl Reçica.

Sipas drejtorit Reçica, ekipet e veterinarëve gjenden në teren dhe janë duke e përcjellë situatën nga afër, por edhe lëvizjet e kafshëve e sidomos atyre të imëta, lëvizje këto që mund të bëhen vetëm me lejen e veterinarëve.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo drejtori thuhet se ndalohet lëvizja e kafshëve nga fermat e prekura dhe nëse pronarët e deleve dëshirojnë që ato t’i tregtojnë, kjo gjë mund të bëhet vetëm pas pëlqimit të veterinarit.

“Ndalohet përkohësisht lëvizja e kafshëve nga fermat e prekura ose të dyshuara, duke përfshirë edhe tregun e kafshëve, të njoftohen të gjitha rastet e dyshimta tek inspeksioni veterinar në Komunën e Ferizajt, lejohet tregtimi i kafshëve vetëm me pëlqimin e veterinarit apo inspektorit komunal, të njoftohet menaxheri i tregut se vetëm kafshët e pajisura me dokumentin e veterinarit zyrtar mund të tregtohen në treg dhe të jenë në qarkullim të lirshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas zyrtarëve të kësaj drejtorie për çdo mos respektim i këtij vendimi, do të merrem masa sipas ligjit për veterinari.

Ky vendim ka hyrë në fuqi ditën e publikimit të tij dhe do të vazhdojë deri në një vendimin tjetër të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë.

Drejtori Reçica bërë me dije se në kuadër të drejtorisë është bërë regjistrimi i të gjitha kafshëve, ndërsa pritet që të bëhet edhe vaksinimi i rregullt edhe përkundër asaj se ende nuk është kryer matrikulimi nga AUV-i.

Ndryshe, si masa të bio-sigurisë mendohet të jenë përveç ndalimit të lëvizjes së kafshëve edhe dezinfektimi i fermave, vaksinimi dhe trajtimi i deleve të sëmura si dhe groposja e kafshëve të ngordhura.

Ndryshe, kjo sëmundje është shfaqur edhe në shtete e rajonit, së fundi është paraqitur edhe në Shqipëri, ku autoritete veterinere të atjeshme po punojnë ngushtë me fermerët në parandalimin e kësaj sëmundje vdekjeprurëse për kafshët, raporton Kosovapress.