Krizë totale në Universitetin e Prishtinës

Deputeti i VV Afrim Kasolli thotë se Universiteti i Prishtinës po ballafaqohet me krizë totale në të gjitha aspektet themelore të tij. Pavarësisht kësaj, ai fton stafin akademik që të jetë në nivel të detyrës dhe të veprojë në bazë të standardeve profesionale.

Lajme

23/02/2014 20:00

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, ka thënë se Universiteti i Prishtinës gjendet në një situatë të rëndë pas dorëheqjeve të vazhdueshme të strukturave kryesore drejtuese dhe menaxhuese të Universitetit.

Megjithatë, ai ka ftuar stafin akademik të vazhdojë punën e tij si duhet, në mënyrë që të mos shkaktojnë vonesa dhe dëme të tjera në kuadër të Universitetit.

Duke folur për Kosova Sot, Kasolli e ka vlerësuar si krizë totale gjendjen e fundit në UP.

“Nuk ka dyshim se Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ është duke u ballafaquar me një krizë totale në të gjitha aspektet e tij themelore, qe nga ai akademik e deri tek niveli strukturor dhe organizativ.”

“Kështu, mungesa dhe vakuumi institucional që është shfaqur pas skandaleve të fundit, e që u pasuan edhe me dorëheqjet e vazhdueshme të strukturave kryesore drejtuese dhe menaxhuese të Universitetit, mund të kenë pasoja edhe në procesin e mësimdhënies akademike”.

“Është e ditur se tani disa nga hallkat kryesore të funksionimit institucional të këtij mekanizmi nuk janë aktive dhe për rrjedhojë kjo mund të reflektohet edhe në proceset e tjera”.

“Është detyrë e stafit akademik, pavarësisht situatës së krijuar, të jenë në nivelin e detyrës institucionale dhe të veprojnë në përputhje me standardet etike dhe kriteret profesionale të jetës akademike, që të mos shkaktojnë vonesa dhe dëme të tjera në kuadër të Universitetit.”

“Pra, me këtë rast, është më se e domosdoshme që pavarësisht problemeve që janë shfaqur kohën e fundit, jeta akademike duhet të zhvillohet normalisht dhe në përputhje me normat morale e profesionale të Universitetit”, ka deklaruar Afrim Kasolli për Kosova Sot.

Universiteti i Prishtinës për afro dy javë vazhdon të funksionojë pa strukturat udhëheqës të saj, pas dorëheqjes së parevokueshme të Rektorit Ibrahim Gashi dhe menaxhmentit të UP’së.