Krasniqi: Ushtrinë ta bëjmë në koordinim me Amerikën

Tema e ushtrisë është hapur pa u zgjidhur disa çështje si Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave Serbe. Megjithatë, Presidenti është vonuar në hapjen e kësaj teme. Kështu ka thënë Jakup Krasniqi, Kryetar i Këshillit në Nisma për Kosovën.

Lajme

21/03/2017 22:45

Krasniqi tha se inisiativa e Presidentit ka mundur të ndodhte në kohën sa ka qenë kryeministër.

Tanimë, sipas Krasniqit, pa u zgjidhur disa probleme reale, është shtuar edhe çështja e ushtrisë.

“Presidenti është pjekur me këtë iniciativë që ta ngritë prestigjin e tij por jo aq shumë të interesohet për formimin e ushtrisë në kuptimin më të mirë të fjalës”, ka thënë Krasniqi.

“Në këtë rrafsh jemi vonuar bukur shumë, më shumë se ç’ishte paraparë me dokumentin e Ahtisarit. Atje ishte paraparë që kjo çështje të rishikohej pas 5 viteve”, ka thënë Krasniqi për RTK-në.

Ai ka thënë se ka pasur një ngecje në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Jam i bindur se kjo çështje është dashur të kryhet dhe nuk ka pasur gatishmëri”, është shprehur Krasniqi, sipas të cilit, është vështirë ta gjesh cilindo qytetar të Kosovës që merret me politikë e që është kundër transformimit të FSK-së në ushtri.

Por, kjo temë sipas tij është hapur në kohën kur kemi kundërshtime nga SHBA, NATO dhe BE, çka, sipas tij, nuk është mirë për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve të pas luftës por edhe në procesin e pavarësisë, kosovarët janë koordinuar me këta faktorë.