Krasniqi: Lufta në Siri nuk i ndihmon Kosovës

Jakup Krasniqi konsideron se shkuarja e kosovarëve për të luftuar në Siri është negative dhe s’e ndihmon perspektivën e Kosovës. Deklarohet gjithashtu kundër vazhdimit edhe për një mandat të vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvend.

Lajme

01/04/2014 21:07

Kosovës nuk i ndihmon i ashtuquajturi Islam Radikal dhe personat të cilët shkojnë për të luftuar në tokat arabe në emër të fesë.

Kështu është shprehur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në emisionin “Rubikon” të KTV-së. Ai e ka konsideruar këtë dukuri negative, pasojat e të cilës i bartin vetë individët dhe familjet e tyre.

Sipas tij, kjo është në kontradiktë me Islamin Tradicional.

“Kjo dukuri është negative, nuk e ndihmon vendin tonë, as perspektiven e Kosovës”.

“Unë nuk i njoh mirë ideologjitë fetare, por si ideologji që niset nga Muhamedi si pejgamber nuk ka një përputhje, unitet të Islamit Tradicional që është zhvilluar në Kosovë gjatë gjithë këtyre shekujve. Është një anashkalim i këtij Islami që është përhapur me shekuj në Kosovë”.

“Pasojat do t’i bartin ata njerëz, familjet e tyre. Gjithnjë ekziston mundësia që grupe të tilla të kenë ndikime negative për kombin e vet, për popullin e vet dhe për shoqërinë në përgjithësi”.

Kryekuvendari ka thënë se vendet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvend nuk kanë më se për çfarë të vazhdohen edhe me një mandat.

U sugjeron atyre përqendrim në realizimin e të drejtave që tashmë i kanë të fituara me Kushtetutë.

“Edhe në dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit edhe në Kushtetutë ata kanë pasur dy mandate, dhe, dy mandatet kanë përfunduar”.

“Absolutisht nuk kanë pse të vazhdojnë. Ata duhet të përqendrohen në realizimin e të drejtave që i kanë të fituar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai në “Rubikon” të KTV-së.