KQZ dhe Policia: Gjithçka gati për balotazhin e së dielës

Qytetarët e Kosovës ditën e diel do tu drejtohen kutive të votimit, për herën e tretë në këtë vit.

Lajme

17/11/2017 12:04

Në 19 komuna të cilat kanë shkuar në balotazh, qytetarët do të zgjedhin kryetarët për katër vitet e ardhshme.

Që procesi të shkojë në mënyrë profesionale, edhe institucionet përkatëse kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për lajmi.net se ky institucion ka përmbyllur të gjitha punët e mëdha lidhur me balotazhin që do të zhvillohet të dielën.

Të gjitha përgatitjet sipas tij janë bërë në bazë të një plani operacional që e ka hartuar Komisioni Qedndror i Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përmbyllur të gjitha punët e mëdha lidhur me përgatitjen e raundit të dytë të zgjedhjeve. Përgatitjet janë bërë në bazë të planifikimeve me Planin Operacional”, ka thënë Elezi.

Ai ka njoftuar se përgatitja e vendvotimeve dhe shpërndarja e materialit të ndjeshëm, do të bëhet në kohën e duhur.

“Aspektet tjera, siç janë përgatitja e Vendvotimeve dhe e shpërndarjes së materialit të ndjeshëm zgjedhor do të bëhen në kohën e paraparë”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së.

Të gatshëm për procesin zgjedhor janë shprehur edhe Policia e Kosovës.

Daut Hoxha zëdhënës i PK-së ka thënë për lajmi.net se policia ka ndërmarrë të gjitha masat për të ofurar siguri gjatë zhvillimit të zgjedhjeve.

Ai ka bërë të ditur se sipas planit operativ do të angazhohet një numër i policëve të profileve të ndryshme.

“Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Sipas planifikimeve me urdhër operativ do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor, si dhe garantimin e sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor deri në përfundim”, ka përfunduar Daut Hoxha për lajmi.net.

Ndryshe fushata zgjedhore e cila ka nisur që nga e hënja përfundon sot pas mesnate, kurse në Kosovë nesër do të ketë heshtje zgjedhore. /Lajmi.net/