Komuna e Prishtinës thotë se shkallët e “Dragodanit” janë në fazën finale

Komuna e Prishtinës ka treguar se ndërtimi i shkallëve në lagjen “Arbëria” janë në fazën finale.

Lajme

20/08/2018 12:32

Përmes një komunikate komuna e Prishtinës ka njoftuar se është duke u kujdesur për kualitetin e punimit në mënyrë që të jetë sa mi lartë.

“Projekti i rregullimit të shkallëve në lagjen Arbëria po shkon drejt përfundimit, me një mbikëqyrje profesionale nga ana e Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave. Po kujdesemi që kualiteti i punimeve të jetë sa më i lartë, pavarësisht reshjeve të shumta që na kanë shkaktuar telashe”, thuhet në njoftimin e komunës.

“Tani janë marrë mostrat e shtresës së betonit që është vendosur për nivelizim të shkallëve, si dhe të atij në objektin përcjellës nga ku shihet panorama e Prishtinës. Këto mostra do të analizohen në laboratorët e licencuara të betonit, dhe vetëm pas marrjes së rezultateve pozitive do të vazhdohet me vendosjen e gurëve natyrorë, si fazë përfundimtare e këtij projekti. Aktualisht janë duke u testuar edhe punët e kryera në kanalizimin atmosferik, si dhe në kabllor nëntokësor”, thuhet ndër tjera në njoftimin e Komunës.