Koalicion me asnjë parti

Lëvizja Vetëvendosje nuk mbështet asnjë subjekt politik në asnjë komunë, në garën e balotazhit të 1 dhjetorit. Dardan Molliqaj thotë se janë refuzuar ofertat edhe nga PDK edhe nga LDK.

Lajme

11/11/2013 13:40

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mbështesë asnjë subjekt politikë në balotazh, në asnjë Komunë të Kosovës.

Ky është qëndrimi politik që është marrë në mbledhjen e Kryesisë së këtij subjekti.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tha sot se kjo parti ka pasur kërkesa për koalicion pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, nga subjektet që tashmë janë në balotazh.

Molliqaj mendon se koalicionet e krijuara nga subjektet politike kanë për bazë interesat personale dhe grupore, e jo interesat e qytetarëve.

“Pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës kemi pasur kërkesë nga të gjitha subjektet që tashmë janë në balotazh. Pra, ta zëmë, Ferizajn, kemi pasur kërkesë edhe nga PDK edhe nga LDK.  Por, edhe në Gjilan, Gjakovë e Pejë, dhe të gjitha komunat e tjera”.

“Subjektet politike nuk kanë vendosur parime. Ju e dini që në deklarimet publike gjatë fushatës, përshirë PDK, LDK dhe AAK e kanë përjashtuar Vetëvendosjen si mundësi të koalicionit”.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, pas rezultateve që kanë dalë në komuna ku ne jemi përcaktues, nëse votuesi ynë do të dëgjonte orientimin tonë, ata e kanë tejkaluar atë, sepse nuk kanë qëndrime politike”.

“Këto lloj koalicionesh po e shpërfaqin karakterin dhe interesat e tyre”.

“Këta nuk kanë parime, kanë vetëm interesa. Ne jemi të njëjtin që kemi qenë konsistentë”.

Sipas statusit të Vetëvendosjes, kërkesat për koalicion duhet të vijnë nga një numër i aktivistëve apo dhe nga ndonjë degë e Vetëvendosjes. Deri më tash, asnjë kërkesë zyrtare nuk ka ardhur në këtë subjekt.

Sipas Molliqajt, për të marrë vendim për ndonjë koalicion, Vetëvendosje duhet të zhvillojë “referendum të brendshëm”.

“Për të shkuar në referendum për çështje të tilla paraprakisht duhet të bëhet kërkesë qoftë nga një komunë, pra qendrave në atë Komunë ose një numër i caktuar i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deri sot nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare sa i përket çështjes së koalicioneve nga asnjë qendër e jona”, tha Dardan Molliqaj.

Ismajl Kurteshi, Kryesuesi i Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, tha decidivisht qëndrimin politik të Vetëvendosjes se kanë vendosur të mos mbështesin asnjë subjekt politik në balotazh.

“Ne si subjekt politik nuk e mbështesim asnjë parti apo kandidat tjetër në balotazh në ato Komuna ku po përgatitet mbajtja e raundit të dytë”.

“Aty ku kemi vlerësuar se tashmë ekziston një alternativë, ne nuk kemi garuar fare, siç është rasti me Hanin e Elezit dhe kandidatin, tashmë Kryetarin e kësaj Komune, Refki Suma”.

Ndërsëa Dardan Molliqaj tha se koalicionet për Prishtinë nuk janë më temë diskutimi dhe se ata kërkojnë votën e çdo banori të Prishtinës, pavarësisht preferencave të tyre politike.

“Koalicionet për Prishtinën mendojmë që nuk janë temë e diskutimit”.

“Besojmë qe votuesit e subjekteve të tjera politike, qytetarët e Prishtinës, madje edhe disa prej votuesve të LDK’së, në raundin e dytë do të jenë të përcaktuar për ndryshime dhe për Shpend Ahmetin”.

Molliqaj ka paralajmëruar një analizë që ky subjekt do ta bëjë për të parë pse qytetarët nuk zgjodhën alternativat që ata u ofruan nga Vetëvendosje.

“Jo gjithmonë del rezultati i pritshëm edhe prej subjekteve politike, por edhe prej qytetarëve. Jo gjithmonë fiton i drejti dhe i miri”.

“Vetëvendosje nuk ka nevojë të ndryshojë. Në Kosovë duhet të ndryshojë regjimi PDK, LDK, AAK”, tha Dardan Molliqaj.