Klima, zilet e alarmit po bien, koha që të veprohet shpejt

Presidenti amerikan, Barack Obama tha se klima po ndryshon më shpejt sesa përpjekjet për ta shqyrtuar ngrohjen globale.

Bota

23/09/2014 21:32

Këto komente ai i bëri sot gjatë fjalimit të vet në samitin e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin klimatik. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë pjesën e vet të punës, por tha se asnjë vend nuk mund të kalojë pa u përfshirë në këtë betejë.

Obama tha se zilet e alarmit po bien, shtetasit po marshojnë, dhe tash është koha për gjithë botën t’i përgjigjet thirrjes.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do ta plotësojnë synimin e vet për ta shkurtuar ndotjen me dyoksid karboni për 17%, deri në vitin 2020, në krahasim me nivelet e vitit 2005.

Samiti i sivjetmë i OKB-së ka për qëllim ta nxisë mbështetjen për marrëveshjen për klimën globale, që pritet të nënshkruhet në Paris në vitin 2015.