Kjo është jeta e ministres Hoxha jashtë politikës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për lajmi.net, flet për jetën e saj private, punën, familjen e shumëçka tjetër.

Lajme

01/01/2019 09:18

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, për herë të parë ka rrëfyer për jetën e saj private, familjen, punën e për shumë gjëra të tjera.

Në një intervistë pa protokoll dhënë lajmi.net, ministrja Hoxha ka treguar se sa i ndihmon bashkëshorti i saj, cilin ushqim tradicional e pëlqen, cila ka qenë arritja e saj më e madhe në karrierë e gjithçka tjerët rreth jetës së saj.

Po ashtu në këtë intervistë ministrja Hoxha ka folur pak edhe për politikën dhe për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova vitin që sapo e lamë pas.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë me ministren Hoxha:

Si festohet Viti i Ri në familjen tuaj?

Festat i kemi me shumë gëzim, sepse kësaj i kontribuon Mali dhe Hana, andaj, bredhi i Vitit të Ri është shenja e kësaj feste, me dhurata për secilin anëtar të familjes. Shtëpia është vendi ynë i preferuar për festë dhe kjo feste është gjithsesi më e bukur në rrethin familjar.

Cili është ushqimi apo pija që assesi nuk mungon asnjëherë për Vit të Ri?

Vera e Rahovecit, është pija jonë e preferuar dhe lëngje të pemëve, ndërsa ushqimin e preferoj ushqimin tonë tradicional.

Më mirë një verë e Rahovecit apo e Francës?

Jo vetëm vera e Rahovecit, por edhe turshia, specat e mbushur, ajvari dhe prodhimet tjera nga gratë e vyera anembanë Kosovës, janë më të mirat.

Më mirë të kaloni natën e ndërrimit të motmoteve me familjen e bashkëshortit apo familjen tuaj?

Familja është familje, së bashku me prindërit e bashkëshortit dhe prindërit e mi, janë anëtarët tonë të familjes të cilët i çmojmë shumë dhe përbëjnë pjesën e gëzimit të familjes tonë.

Një çaj i zi (çaj rusi) apo një kafe turke?

Një kafe, është më e pëlqyeshme. Çaji mund të jetë edhe i frutave.

Sa ju ndihmon bashkëshorti në punët e shtëpisë?

Ndihmon aq sa ia lejon koha, por, ne e kemi kohën problem, andaj nuk pres shumë. Kafja e përbashkët, është shumë e mirëseardhur, në çdo kohë.

Cili është pseudonimi juaj, si ju thërrasin familjarët e juaj?. A keni ndonjë emër përkëdhelës?

Jo nuk kam, ngase vet emri im ishte dhuratë për prindërit e mi, pasi që jam fëmija i parë i tyre.

Cila ka qenë arritja juaj më e madhe në karrierë?

Arritja më e madhe në karrierë është titulli Doktor nderi nga universiteti ku kam përfunduar studimet e mia, në ShBA, si dhe tani nderi që më është dhënë si ministre t’i shërbej qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Më mirë udhëheqin femrat një dikaster apo meshkujt dhe pse?

Besoj se dikasteret e udhëhequr nga femrat, janë dëshmi se femra në vendimmarrje është përparësi për institucionin dhe zyrtarët e atij institucioni. Konsideroj se ne disponojmë mjaftë mekanizma si ai i përgjegjësisë, mbikëqyrjes dhe zotimit për zbatimin e qëllimeve.

Ju keni qenë edhe ministre e Drejtësisë. Në Drejtësi apo në Integrime e ndjeni veten më rehat?

Përgjegjësia është e njëjtë, zbatimi i ligjit, transparenca dhe llogaridhënia, elementet bazë për qeverisjen ku unë e drejtoj. Kam mjaft të arritura në atë sektor, po ashtu, kam mjaft të arritura edhe në integrimi evropian.

A mund të thuhet se viti që sapo e lamë pas ka qenë vit i suksesit të Ministrisë që e drejtoni apo viti i dështimit për shkak se as në 2018-ën nuk u arrit që të liberalizohen vizat për Kosovën?

Ne kemi shumë suksese në proces. Vitin që sapo e lamë pas u përmbyllën të gjitha 95 kushtet për liberalizim. Ne jemi duke zbatuar agjendën e reformave Evropiane, MSA-në dhe reformat tjera që përafrojnë vendin tonë me BE-në. Kapitulli i liberalizimit të vizave duhet të jetë çështje që skuq BE-në dhe drejtuesit e sektorëve nga Brukseli. Nuk dua të shpreh vetëm shqetësim por edhe zhgënjim ndaj injorimit të kërkesës së qytetarëve tanë dhe institucioneve që me përpikëri i janë përmbajtur plotësimit të rekomandimeve, pas gjithë asaj pune kapitale, më shumë se 6 vjet, tash të ketë ngecje ne vendimmarrje mu në hapin e fundit. E paarsyeshme, plotësisht e pakuptueshme.

Cili është mesazhi i juaj për Vitin e Ri për të gjithë qytetarët e Kosovës?

Mesazhi im për qytetarët e Kosovës është:

Në vitin e ri 2019, paçi shëndet, paqe e sukses në synimet tuaja personale e familjare. Ne kemi punuar aq sa është kërkuar nga ne, kemi plotësuar 95 kushtet. Vonesat pas plotësimit të kushteve për liberalizim, le të mbesin në nderin e hartuesve të parimeve dhe të politikave të BE-së.

Urime dhe gëzuar Viti i Ri, 2019!. Valmira Halimi. /Lajmi.net/