Kinezët prodhojnë rrymë elektrike me djegien e kartëmonedhave

Në stabilimentet e një centrali për prodhimin e energjisë elektrike në qytetin Luojang, në vend të thëngjillit përdoren kartëmonedhat. 

Bota

11/12/2014 19:04

Lajmi.net transmeton shkrimin e BBC, i cili thotë se në qytetin Loujang, në provincën qendrore Henan, digjen bankënotat e vjetra dhe të dëmtuara në vend të thëngjillit. Kjo është hera e parë që dikush ka vepruar në mënyrë të tillë në Kinë. Zyrtarët e stabilimenteve për prodhimin e rrymës elektrike thonë se me djegien e një tonelate kartëmonedhash prodhohen 600 kilovat-orë energji elektrike dhe se kjo metodë është shumë më ekologjike sesa djegia e thëngjillit.

Banka Qendrore dhe Banka Popullore e Kinës kanë dhënë leje për djegien e bankënotave pasi që kjo është mënyrë efikase për prodhimin e rrymës. Kartëmonedhat e vjetra në provincën Henan mund të ndihmojnë në prodhimin e 1.32 milion kilovat-orëve të rrymës në vit, gjë që është ekuivalente me djegien e sasisë prej 4,000 tonave të thëngjillit.

Kartëmonedhat që janë tërhequr nga përdorimi në Kinë për arsye të vjetërsisë së tyre apo dëmtimeve zakonisht përdoren për prodhimin e produkteve nga letra.

Ideja për djegien e tyre për qëllim të përfitimit të energjisë elektrike ka shkaktuar debate në mesin e përdoruesve të rrjeteve sociale.

“Djegia e kartëmonedhave? Luojang është qytet i pasur”, ka shkruar njëri përdorues në rrjetin social kinez  Weibo.

“Jam i gatshëm të heq dorë nga energjia elektrike për një vit. Ju lutem më jepni mua tërë ato para”, ka shkruar një tjetër.

“Më punësoni aty, premtoj se nuk do të kërkoj rrogë”, ka shtuar një tjetër qytetar. (lajmi.net)