Këto janë armët jugosllave të Vetëvendosje!-s

Kjo parti, prej sot, nuk i përfaqëson ato vlera që mendoj se i kam: duke mbajtur armë për të kryer krime e fshehur dorën e duke i thirrur qytetarët në një protestë që mund të ndytët. Prandaj, prej sot, edhe më tutje vazhdoj të mbetem apartiak.

Lajme

30/08/2016 23:57

Shkruan: Berat Armagedoni

Ka kohë që jam apartiak. Por, dikur nuk isha kështu. E kam votuar PDK-në sepse kam besuar se në këtë parti ka njerëz të mirë. Më shumë se kaq, e kam votuar për nder të bashkëvendësit tim, Sokol Bashotës. Kam thënë se këtë parti nuk do ta votoj kurrë më. Kam menduar se, nëse më bindin dhe e bind veten të votoj, do ta votoj Lëvizjen Vetëvendosje!

Por, po kjo Lëvizje, aktivistët e saj, edhe bashkëfamiljarët e ngushtë të udhëheqësve të saj, më bindën sot, më shumë se kurrë, se nuk duhet ta votoj as këtë parti, e cila mban armë në shtëpi e në zyra. Armë jugosllave. Snajperë jugosllave. Kallashnikov jugosllav. Fishekë jugosllavë. Mban armë jo për t’u mbrojtur (pushkë gjuetie, as pushkë për rekreacion), por armë për të kryer krime, snajperë e kallashnikov jugosllav.

Natyrisht se armët e LV-së, ato që u gjetën sot, më shqetësuan, por nuk më frikësuan.

Prandaj, prapë do të dal sheshit të kryeqytetit të Prishtinës të shëtis më 1 shtator, por jo t’i bashkëngjitem kësaj Lëvizje, udhëheqësve të saj, në protestë, edhe pse kanë të drejtë që e kundërshtojnë këta, edhe të tjerët deputetë të pozitës, edhe me më zë e me mjete më demokratike se këta të opozitës, demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, por s’kanë drejt që këta të LV-së e kundërshtojnë kështu, duke e sulmuar me zollë Kuvendin e Kosovës; duke e sulmuar me bombë shtëpinë mediale të Kosovës (RTK-në); duke e sulmuar me granatë dore shtëpinë e udhëheqësit të këtij televizioni; duke marrë hyxhym për ta sulmuar shtëpinë e familjarët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Kjo parti, prej sot, nuk i përfaqëson ato vlera që mendoj se i kam: duke mbajtur armë për të kryer krime e fshehur dorën e duke i thirrur qytetarët në një protestë që mund të ndytët. Prandaj, prej sot, edhe më tutje vazhdoj të mbetem apartiak.