Këshillë falas për opozitën!

Sot Vetëvendosje e ka rastin të bëjë kthesën e madhe! Kuvendi është vendi ku opozita duhet ta shfrytëzojë mundësinë e saj për shfuqizimin (tërheqjen) e nënshkrimit të kryeministrit Isa Mustafa për "Zajednicën"! Ose opozitës i duhet që të ndryshojë agjendën! Qasjen gjithsesi: pa vezë, pa gurë, pa gaz lotsjellës! Për shtet!

Opinion

15/10/2015 11:11

Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake. Sipas Kushtetutës, këto marrëveshje ndërkombëtare ratifikohen përpara nënshkrimit nga kreu i shtetit. Presidentja apo Kryeministri i Republikës duhet ta njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkrujnë marrëveshje ndërkombëtare për këto çështje. Dhe amendamentimi ose tërheqja nga një marrëveshje ndërkombëtare, sipas Kushtetutës, kërkon të njejtën procedurë të vendim/marrjes sikur ajo e ratifikimit.

Pra, nëse opozita vlerëson se marrëveshja e nënshkruar me Serbinë në Bruksel për Komunat me shumicë serbe është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të Kosovës, zhvlerësimi i nënshkrimit të kryeministrit të Republikës mund të bëhet përmes Kuvendit, duke shfrytëzuar të drejtat e legjislativit. Mosratifikimi me 2/3 e votave të deputetëve e zhbën “Zajednicën”. Dhe njëjtë mund të veprohet edhe me marrëveshjën për kufirin me Malin e Zi. Por është edhe mundësia tjetër – marrja e iniciativës për amandamentimin e Kushtetutës – propozimin e projektligjit për referendum, si mundësi që qytetarët të deklarohen përmes votës së tyre atëherë kur partitë politike parlamentare nuk gjejnë koncensus politik.

Pra, përpara se të “digjet” Kosova nga kjo klasë politike, do të ishte e udhës që opozita t’i shfytëzojë të gjitha mundësitë e saj juridike dhe demokratike! Ajo duhet të lejojë zhvillimin e seancës parlamentare, të lejojë raportimin e Kryeministrit mbi këto marrëveshje, dhe kur ato (marrëveshjet) të hidhen në votim, me fuqinë se saj të lobojë kundër tyre. Të përpiqet t’i bindë ca deputetë të PDK-së dhe LDK-së! Ndoshta nuk dalin të gjithë “tradhtarë”! Ose të bojkotojë punimet e Kuvendit. Sepse votimi kundër pa i pasur votat e nevojshme për mosratifikim, e legjitimon edhe më shumë çfardo marrëveshje ndëkombëtare të nënshkruar nga Presidentja apo Kryeministri i Republikës.

Ndryshe, me agjendë të përmbysur dhe qasje të dhunshme, opozita e kryesuar nga Vetëvendosje nuk do të arrijë ta merr pushtetin edhe për një kohë të gjatë. Ndoshta kurrë! Sepse “Republika e Tretë” nuk mund të realizohet dhunshëm, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës mund të jenë matrialisht më të varfrit në Evropë, të kenë edhe ngecje në disa aspekte socio-kulturore, por kanë dëshmuar se kanë njohuri socio-politike të mjaftueshëm sa për të dalluar të keqën më të vogël. Në mungesë alternative tjetër, populli i Kosovës do të vazdhdojë ta dënojë vetveten për t’i ikur dhunës, duke duruar edhe keqqeverisjen e Isa Mustafës! Do të durojë derisa të shpërthejë dhe të zbrazë mllefin ndaj gjithçkaje të nisur mbrapsht prej 12 qershorit 1999. Do të shpërthejë nga urrejtja e krijuar ndaj mbeturinave të bajraktarizmit! Dhe për një kohë nuk do të ketë pozitë as opozitë!

Me qeverisje të papërgjegjëshme gjatë këtyre 15 vjetëve, me këtë qeveri qëbën sikur po qeverisë, që qarkullon atë buxhet të vogël të Kosoves sa për të mbijetuar, pa luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si fenomene që e kanë sjellë këtë shtet para kolapsit, pa thithje investimesh, pa strategji per zhvillim ekonomik, opozita e ka pasur të lehtë të bëjë për vete popullin e pashpresë të këtij vendi. Po, sikur metodat opozitare nuk do të ishin të dhunshme. Pyesni vetveten, nëse nuk jeni militantë, kush nuk do të dëshironte rrëzimin e kësaj qeverie dhe të secilës tjetër që ka qeverisur Kosovën prej pasluftës?

Rreth 70 % e votuesve nuk besojnë në këtë klasë politike. Nëse sot do të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, votuesit e vetëm do të ishin ata pak militantë që u kanë mbetur partive politike! Dhe kush ka më shumë militantë, ata të cilët e kanë pushtetin në një mënyrë apo tjetër që prej 15 vjetësh, ata që e kanë humbur, apo ata që nuk e kanë pasur kurrë? Prandaj sot Kosova më shumë sesa për zgjedhje të reja, ka nevojë për politikanë që dalin mbi interesa të ngushta e partiake, ka nevojë për burrështetas, jo për bajraktarë të shekullit XXI! Kosova ka nevojë për ndaljen e qeverisjes me metoda të prapambetura e patriarkale, për sundim të ligjit – me fokus te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdosmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)