Këmbanat e alarmit

Prishtina e ka të domosdoshme ta fuqizojë rolin e vet në rajon, duke ushtruar një ndikim që realisht e ka, si potencial, por jo edhe si realitet.

Opinion

15/12/2016 13:40

Rrëfimi për Aleppo-n mbërriti edhe në Kosovë.
Disa organizime simbolike, të tjera deklarata solidariteti u bënë në Prishtinë dhe gjetiu ditëve të shkuara, tashmë kur emri i Aleppo-s, më shumë se gjithçka tjetër, shpreh gjendjen e tanishme në Botë, në Rendin Ndërkombëtar, në raportet në mes Perëndimit dhe Federatës së Rusisë, Perëndimit dhe krizave të këtij lloji.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar tragjedisë së Aleppo-s, Samantha Power, Ambasadorja e SHBA-së dhe njëra prej njohësve më të mirë të dukurisë së gjenocidit, duke vënë paralelet midis Ruandës, Srebrenicë dhe tani Aleppo-s, iu drejtua Vitaly Churkin-in, Ambasadorit të Federatës së Rusisë, me fjalët: ‘Si nuk keni turp…Si nuk ju vie fare turp..’.
Power fliste për mohimin e krimeve kundër njerëzimit që regjimi i Asadit dhe forcat ruse po i bëjnë në Aleppo.
Churkin ia ktheu fare ftoht Power, duke i thënë: ‘Po flisni si Nëna Tereze…’.
Çfarëdo që ka pasë në mendjen e tij, Churkin në fakt ia ka qëlluar. Me ka krejt.
Bota e sotme është kthyer në një lëmsh të tillë, të përgjakshëm, ku qasja e vetme që mbetet  (së paku në rrethanat e tanishme), është ajo e Nënës Tereze, e lutjes (pra) Zotit, që gjërat të marrin kahje tjetër.
Nuk mbahet në mend, për dhjetëra vjet të tërë, kur një ngjarje, një tmerr, çfarë është Aleppo, nuk ka shfaqur gjithë pafuqinë e Perëndimit për të vepruar si duhet në mëkëmbjen e shpresës që megjithatë, ka Rend Ndërkombëtar dhe në Botën e sotme, nuk bën të lejohen vuajtje të tilla të shkaktuara në luftë.
Aleppo zatën është momenti më i ulët, më i keq në Botën pas përfundimit të ‘Luftës së ftohtë’, ndërsa momenti më i lartë, më i mirë, më i ndritshëm në këtë aspekt, ka qenë pikërisht Kosova e vitit 1999-të.
Atëherë ndodhi bashkimi i drejtësisë, fuqisë dhe mirësisë. Dhe kurrë më, prej atëherë.
Duket që këtë ne po e kuptojmë edhe tash, në rrethanat e sotme ndërkombëtare, duke pasë parasyshë Aleppo-n. Dhe gjithsesi po bëjmë mirë që po shprehim solidaritetin me viktimat e këtij qyteti sirian.
Sidoqoftë, e tëra kjo do të duhej të na shërbente edhe për të nxjerrë, si shtet, disa mësime politike dhe diplomatike.
Deri tani së paku, nuk kemi dhënë shumë shenja që po kuptojmë se çka po ndodhë rreth nesh në rajon, në Evropë dhe në Botë. Kemi qenë shumë të zënë me ‘konsumimin’ e  ‘prodhimeve vendore’ politike dhe të të gjitha llojeve të tjera.
Pra, politika kosovare do të duhej të këndellej, dikush do të mund të thoshte edhe të alarmohej madje, me zhvillimet përreth nesh, të cilat nuk kanë si të mos reflektohen edhe në Kosovë, midis tjerash, edhe përmes rolit që ka Serbia në Veri të Kosovës.
Nuk mund pra të jemi asnjanës, të painteresuar me ngjarjet rajonale në këto anë të Evropës. Prishtina e ka të domosdoshme ta fuqizojë rolin e vet në rajon, duke ushtruar një ndikim që realisht e ka, si potencial, por jo edhe si realitet. Duhet ta dëshmojmë këtë potencial që kemi, duke kërkuar bashkëpunim edhe në trajtë të aleancave me shtetet që ndajnë interesat me ne, sa i përket sigurisë rajonale dhe synimeve kah Pakti NATO në veçanti, por edhe kah BE-ja, në përgjithësi.
Nuk duhet bërë asnjë kalkulim tjetër këtu, sepse as nuk dimë dhe as nuk mundemi, pos llogarisë që njeh mësymjen tonë kah BE-ja. Kemi arsye për të qenë të frustruar sa të duash në këtë aspekt, sepse njëmend kjo historia me Liberalizimin e vizave na ka lënë keq të gjithëve, por këtu nuk mund të kemi aspak dyshime se cila është rruga jonë kryesore ndërkombëtare.
Më në fund, duhet pranuar, të gjithë së bashku, që ambienti i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare ka ndryshuar për të keq në vitet e mbrama. Këtë nuk mund të mos e marrim parasyshë tash e tutje. Me gjasë, një Strategji e re e sigurisë kombëtare do të duhej të përgatitej sa më parë. Pastaj, do të duhej ndarë më shumë mjete nga Buxheti i Kosovës për Policinë e Kosovës, për ta përgatitur atë edhe më mirë për sprovat e sigurisë që na presin. Më në fund, do të duhej shtuar përpjekjet për transformimin e FSK-në në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Mbrojtja dhe siguria e shtetit të Kosovës do të duhej të ishin prioritet për të gjithë. /Lajmi.net/