Katër vjet më parë GJND vulosi legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës

“Kosova nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar”, ishte përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për Pavarësinë e Kosovës, e dhënë më 22 korrik 2010.

Lajme

22/07/2014 09:45

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, japonezi Hisashi Owada, kishte thënë, se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë aspekt, ai kishte përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimeve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it, të UNMIK-ut dhe negociatat e zhvilluara mes palëve për të arritur deri të zgjidhja e statusit.

Sipas tij, shpallja e pavarësisë ishte proces politik dhe jo ligjor.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata ishte e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Atëherë, sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat, pavarësia e Kosovës nuk kishte shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK.

Serbia, Kosova dhe 29 shtete duke përfshirë SHBA-në dhe Rusinë morën pjesë më 11 dhjetor 2009 në një seancë dëgjimore para GJND-së ngritur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me kërkesë të Serbisë.