Ka ilaç për shëndetësinë

Shpend Ahmeti shpalosi planin e tij për shëndetësi, me të cilin tha se qytetarët nuk do të kenë më nevojë për të vizituar mjekët privatë apo për të dalë jashtë shtetit për shërim.

Lajme

14/10/2013 13:37

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, kritikoi gjendjen e shëndetësisë aktuale në vend..

Në një konferencë shtyp, të mbajtur në Zyrat e Vetëvendosjes, Ahmeti shpalosi planin e tij për shëndetësi, me të cilin ai tha se qytetarët nuk do të kenë më nevojë për të vizituar mjekët privatë ose për të dalë jashtë shtetit për shërim.

“Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, ku shumica e qytetarëve drejtohen kah sektori privat në mungesë të kujdesit nga sektori publik. Po ashtu, po kërkojnë shërbime sa më shumë edhe jashtë vendit”.

“Sot, gjendja aktuale në shëndetësinë primare reflekton gjendjen e përgjithshme në shëndetësi, të cilën e kemi në gjithë Kosovën”.

Ahmeti tha se sot mungojnë gjërat elementare, siç janë,  informatat dhe statistikat në këtë fushë.

“Sa pacientë kujdesen tek secili mjek, cilat barna shpenzohen. Me këto informata vijnë mundësitë e rritjes së cilësisë dhe shpërblimit të mjekëve”.

“Organizimi jo i mirë i punës, mungesa e llogaridhënies, pamundësojnë zhvillimin e rregullt të veprimtarisë shëndetësore”.

“Në mjekësinë primare kërkohet që secili qytetari i Kosovës ta ketë mjekun e vet familjar, që të regjistrohen pacientët, që secili mjek të dihet sa pacientë i ka”.