Janjiq: Greqia do ta njohë Kosovën në vjeshtë, si shpërblim ndaj ndihmës amerikane

Greqia, përmes Kosovës, po i kthen borxhin Amerikës për përkrahjen që e ka marr gjatë javëve të fundit gjatë përplasjes me Gjermaninë.

Lajme

18/07/2015 15:17

Kështu e vlerësojnë afrimin e politikës greke ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, që është vërejtur kohëve të fundit.

Ndërkohë, Qeveria e Serbisë, përmes ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, ende presin sqarim nga Athina zyrtare lidhur me deklaratat se do ta përkrahin Kosovën.

E përditshmja serbe “Blic” në një shkrim thotë se si shkak i borxheve që kryeministri grek Aleksis Tsipras i detyrohet SHBA-ve, ka nisur menjëherë veprimi politik i Athinës.

Greqia obligohet që Europës t’i kthejë miliarda euro, ndërsa Amerikës borxhet politike do t’ia kthejë në mënyrë politike thonë analistë serbë.

“Mesazhi se qeveria e Greqisë do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtare, nuk është befasi. Athina me vite tregton me çështjen e Kosovës. Ata gjatë gjithë kohës flasin me Amerikën, nga të cilët, si dëmshpërblim i kanë kërkuar ndihmë rreth çështjes së Maqedonisë. Megjithatë, ndihmën që SHBA-të ia dhanë gjatë krizës me BE dhe Gjermaninë, grekët do t’ia kthejnë me një proces të përshpejtuar të njohjes së Kosovës”, thotë analisti politik Dushan Janjiq, transmeton lajmi.net.

Ai mendon se nuk do të kalojë edhe shumë kohë, kur Greqia ta njohë Kosovën.

“Do të pres edhe pak për ta parë edhe marrëveshjen e dytë të Brukselit dhe në vjeshtë do ta njohë Kosovën. Pres që këtë ta bëjë edhe Rumania e Sllovakia. Ndërsa Qipro dhe Spanja do të jenë më të përmbajtura rreth njohjes formale, por nuk do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB, por do të deklarojnë që vetëm do ta përcjellin politikën e BE-së”, ka shtuar Janjiq.(lajmi.net)