IOM: Mesdheu mund të marrë 30 mijë jetë gjatë këtij viti

Deti Mesdhe ka përpirë 1,700 jetë në më pak se katër muaj të vitit 2015 dhe nëse vazhdohet me këto ritme “anijet e vdekjes” do të marrin me vete mbi 30 mijë persona deri në fund të këtij viti.

Bota

21/04/2015 21:55

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit ka lëshuar alarmin. Zëdhënësi, Joel Millman, tha në Gjenevë se shifrat janë të frikshme.

“Deri më tani, në 2015, janë mbytur 30 herë më shumë emigrantë se një vit më parë, kur deri në muajin maj kishim 56 viktima. Druhemi se shifra prej 3,279 emigrantësh të vdekur në Mesdhe për 2014 mund të tejkalohet brenda pak javësh dhe në fund të vitit ky numër të tejkalojë edhe 30 mijë të mbytur”, tha Millman, transmeton Top Channel .

Një ide është ligjërimi i hyrjes në Evropë. Kontrabandistët do të mbeteshin pa punë, sikur BE-ja çdo ditë të organizonte një traget me 1,000 migrantë nga Afrika dhe t’i sillte ata në Itali apo në Spanjë. Pa pagesë dhe legalisht. Kjo, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, do të thotë se në vit do të kishte 365,000 migrantë, jo më shumë sesa ka tani, kur vijnë me anije.