Intervistë ekskluzive me të arratisurin Bernard Përlazri: Hekuranin e vrava në vetëmbrojtje (VIDEO)

Bernard Përlazri, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës dhe plagosjen e 2 të tjerëve të hënën në Prizren, tash e katër ditë ndodhet në arrati, bashkë më dy djemtë e vëllai të tij, që po ashtu dyshohen për pjesëmarrje në vrasje.

Lajme

11/09/2015 20:05

Gazeta Express ka arritur të intervistojë Përlazrin, i cili ka rrëfyer atë që ka ndodhur të hënën mbrëma. I dyshuari për vrasje ka treguar se si ka nisur konflikti me vëllezërit Morina, për borxhin që ai pretendon se ia ka marrë Beg Morina, babai i të vrarit, Hekuran Morinës.

Përlazri, gjatë këtij rrëfimi, pranon se ka qëlluar për vdekje Hekuran Morinën dhe ka plagosur vëllain e këtij të fundit, Fadilin, dhe një tjetër person, kalimtar të rastit. Por, Përlazri pretendon se zjarr ndaj tij dhe djemve të vëllait të tij fillimisht kanë hapur vëllezërit Morina dhe disa persona të tjerë që kanë qenë me ta. Ata, sipas Përlazrit, e kanë ndjekur atë me dy vetura, njëra BMW X5 dhe tjetra BMW X6 gjatë gjithë kohës sa ai po pinte kafe në kafenë “Karamel”, që ndodhet në afërsi të biznesit të vëllezërve Morina, “Parket Sefa”.

YouTube player

Sipas tij, ai ka qëlluar në vetëmbrojtje, ndërsa djemtë e vëllait të tij, të cilët po ashtu po kërkohen nga policia, kanë ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes para se të fillojnë të shtënat.

Ai ka treguar versionin e tij se si ka nisur i gjithë ky konflikt me Hekuran Morinën, që ka përfunduar me vrasjen e këtij të fundit.

Ka folur edhe për borxhin 70 mijë euro se gjoja Beg Morina, babai i Hekuranit, i ka marrë te Përlazri disa vite me parë. Ai pretendon se nuk e ka falsifikuar letrën që e ka treguar si marrëveshje mes tij dhe Beg Morinës, edhe pse prokuroria pohon se shkrimi në atë letër nuk është i këtij të fundit, i cili tashmë, po ashtu, është i vdekur. Thotë se Hekuran Morina fillimisht kishte pranuar t’ia kthente vetëm gjysmën e shumës që pretendon ta ketë trashëguar nga babai i tij, por ai nuk ka pranuar t’i marrë vetëm 35 mijë euro.

Bernard Përlazri hedh akuza të rënda ndaj Komandantit të Policisë së Prizrenit, Nexhmedin Krasniqit, pasi, sipas tij, ky i fundit ka çuar deri tek incidenti i të hënës. Këtë të fundit, ai e bën fajtor për 600 mijë euro, që sipas tij, i ka humbur familja e tij në vitit e fundit, dhe po ashtu pse ai dhe vëllai i tij duhet të qëndrojnë në arrati. Në këtë rast si ndërmjetësues ai e përfshin edhe inspektorin e Policisë së Prizrenit, Besim Rexhepin.

“Nexhmedin Krasniqi i ka thanë Hekruan Morinës merre armen del vraje Bernard Përlazrin, sa ta kam unë ketë uniformë një ditë burg ski me shku” thotë Bernard Përlazri gjatë rrëfimit të tij nga arratia për Gazetën Express.

Përlazi thotë se e ka ndërmend të dorëzohet, por këtë s’do ta bëjë tek organet e drejtësisë në Prizren pasi thotë se ata vetëm e kanë dëmtuar.

Gazeta Express ka provuar të takoj edhe komandantin Krasniqi por ai nuk ka gjetur kohë të flasë për gazetën.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Prizrenit për Gazetën Express kanë pohuar se dyshohet se pikërisht Bernard Përlazri dhe dy të tjerë i kanë zënë rrugën viktimës Hekuran Morina dhe personave të tjerë që udhëtonin me dy vetura BMW X5 dhe X6. Sipas, Prokurorisë dyshohet se së paku dy persona kanë gjuajtur në drejtim të vëllezërve Morina.

Deri me tash, sipas Prokurorisë janë kryer 4 bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar në rast, porse nuk kanë rezultuar me ndonjë të arrestuar.

Incidenti në fjalë ka ndodhur të hënën rreth orës 20:30 në lagjen Bazhderhane të Prizrenit. Familja Morina, një ditë pas vrasjes, kanë akuzuar të dyshuarin Bernard Përlazri se ai i kishte kërkuar Hekuran Morinës reket që nga janari i këtij viti. Ky i fundit e kishte denoncuar Përlazrin në Polici, ku ishte mbajtur në paraburgim për 6 muaj. /GazetaExpress

.