Instituti Bujqësor: Mielli në Kosovë i plotëson standardet

Instituti Bujqësor i Kosovës, i cili vepron pranë Ministrisë së Bujqësisë, në kuadër të kompetencave të veta ka autorizimin për kontroll të cilësisë së inputeve bujqësore dhe të ushqimeve që importohen dhe përpunohen në Kosovë. Në këtë kategori përfshihen edhe gruri dhe mielli.

Lajme

24/02/2015 17:35

Përmes një komunikate ky institut thotë se i gjithë gruri që importohet kontrollohet nga inspektorët fitosanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kufi, ku merren mostrat nga çdo ngarkesë.

Këto mostra pastaj dërgohen në Institutin Bujqësor të Kosovës për t’iu bërë analizat fiziko-kimike, të pranisë së metaleve të rënda dhe analiza mikrobiologjike. Kjo bëhet për të konstatuar se produkti në fjalë i plotëson standardet e caktuara për konsum të gjerë apo jo.

“Deri më tani kemi pranuar rregullisht mostrat e grurit nga importi dhe asnjëra nga to nuk ka rezultuar se nuk i plotëson standardet ekzistuese për konsum njerëzor. E njëjta vlen edhe për miellin e prodhuar në Kosovë, i cili konsumohet në vend, por edhe eksportohet jashtë vendit”.

“Sa për informimin tuaj, asnjë ngarkesë me produkte ushqimore nuk mund të realizohet pa certifikatën fitosanitare të lëshuar nga AUV, i cili gjithmonë i merr vendimet duke u bazuar në raportin e analizave të kryera nga Instituti Bujqësor i Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Instituti bashkëpunon në vazhdimësi edhe me institutet ndërkombëtare për analiza paralele.

“Kemi përcjellur ditëve të fundit deklarata të ndryshme në media në lidhje me cilësinë e grurit dhe miellit që importohet ose prodhohet në Kosovë, prandaj ju sigurojmë me kompetencë të plotë, si organ zyrtar i Republikës së Kosovës, se gruri i importuar, si dhe mielli i prodhuar në Kosovë i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për konsum”, përfundon komunikata.