Harta politike e Evropës

BE-ja dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të duhej të rrumbullakësonin, sa më parë që është e mundur, hartën politike të Evropës.

Opinion

17/05/2018 09:44

Në ditën kur në Sofje mbahet Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, është i pashmangshëm krahasimi me Samitin që pesëmbëdhjetë vjet më parë  (në vitin 2003), me po këtë temë, u mbajt në Selanik të Greqisë.

Asokohe, ishte momenti më i mirë i mundshëm që të bëhej një zotim solemn për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian, natyrisht, në atë vitin e largët 2003, kishte një identitet të qartë, i cili shfaqej si një fuqi e madhe politike dhe ekonomike ndërkombëtare. Bota poashtu ishte krejt ndryshe. Shprehur në atë fjalorin finaciar, vlerat e aksioneve në BE-së në një ‘burzë ndërkombëtare’ ishin shumë të larta. Nuk mund të kishte joshje apo motivim më të madh për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe për Kosovën, që asokohe ishte nën Administratën e UNMIK-ut, se sa ai formulimi për ‘perspektivën evropiane’.

Në ndërkohë, rrjedha e njohur historike dhe politike në Evropë dhe në Botë, ka bërë që sot të flitet për rreziqet e mëdha të sigurisë në gjithë Rruzullin tokësor. Rusia është më e pranishme se kurrë në këto anë të Evropës, BE-ja ka humbur shumë nga fuqia dhe kredibiliteti i vet, Britania e Madhe është në dalje e sipër nga BE-ja, nuk dihet se si do të organizohet Bashkimi Evropian në të ardhmen. Por, çfarë dihet është që në këtë temë apo në këtë çështje, nuk ka dhe nuk mund të ketë Plan B: Apo që BE-ja të shpartallohet.

Për këtë shkak, tutje gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, të cilat dallojnë thuaja në të gjitha çështjet e tjera, janë në një mendim, në një vlerësim dhe në një vendim kur bëhet fjalë për pretendimet e tyre që sa më parë që është e mundur, të mbërrinë në Bruksel, për t’iu bashkangjitur 27 shteteve të tjera anëtare të BE-së  (sa do të mbeten pas daljes së Britanisë së Madhe).

Në ndërkohë, me gjasë, largimi i Britanisë së Madhe do të mund të përdorej për ta mëkëmbur identitetin politik të BE-së, i cili ka pësuar dëme të mëdha, në mungesë të një organizimi të qëndrueshëm të BE-së në Bruksel, në përballje me sprovat e shumta ndërkombëtare. Ta zëmë sot është vështirë të flitet për vlera të qëndrueshme, të përbashkëta, politike dhe qytetëruse në të gjitha shtetet e BE-së. Ka qeveri dhe shtete të BE-së ku sundon popullizmi, ku ka ksenofobi, jotolerancë, ku madje refuzohet zbatimi i vendimeve të përbashkëta në adresimin e temave të veçanta, duke nisur këtu edhe atë që përkon me strehimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Ndërsa gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor në vazhdimësi është nën presionin e BE-së që të ndryshojë, në organizimin politik dhe ekonomik, por edhe në përqafimin dhe mirëmbajtjen e vlerave që për decenie me radhë janë klasifikuar si evropiane. Poqëse shtetet e BE-së do të silleshin sot siç bëjnë një numër i tyre që tash e dhjetë vjet e më shumë janë pjesë e ‘Klubit të Brukselit’, reagimi i autoriteteve më të larta të BE-së do të ishte që ato nuk kanë të drejtë as të ëndërrojnë për inkuadrimin në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, siç ka treguar qartë rasti i Kosovës, është e pashpjegueshme dhe gjithsesi e pajustifikueshme që në BE nuk ka mekanizma të vendimmarrjes për një çështje të rëndësisë sipërore, çfarë ka qenë dhe çfarë mbetet sot e kësaj dite rasti i Kosovës. Autoritetet e Spanjës, siç e dimë të gjithë, me një këmbëngulje që nuk ka të bëjë fare as me ne  (me Kosovën), dhe as me BE-në, por ekskluzivisht me problemet e brendshme, është munduar që të pamundësojë pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes. Ndërsa pesëshja e BE-së, tash e gati dhjetë vjet refuzon t’i bashkohet të gjitha shteteve të tjera që në harkun kohor shkurt-tetor, 2008, patën njohur shtetin e Kosovës.

Është thënë shumë herë në të kaluarën që po të kishte unitet në BE, qysh në vitin 2008, me siguri që dialogu i Kosovës dhe Serbisë, ishte përmbyllur qëmoti me një Marrëveshje që do të vuloste normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Sidoqoftë, nuk ka më kush kohë të mirret me të kaluarën. Bashkimi Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të duhej të rrumbullakësonin, sa më parë që është e mundur, hartën politike të Evropës.