Haradinaj së shpejti takon Pacollin, pengesë mbetet Agim Bahtiri

Në vazhdën e krijimit të Qeverisë së Kosovës, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj së shpejti pritet të takohet me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Lajme

21/07/2017 18:23

Burime të lajmi.net bëjnë brenda AAK-së dhe AKR-së bëjnë të ditur pas marrëveshjes që deputetja e zgjedhur e LDK-së, Teuta Rugova bëri me Haradinajn, lëvizje ka pasur edhe në AKR-në e Pacollit.

“Ka lëvizje në drejtimin e bashkëpunimit të Pacollit me Haradinajn. Nuk është ende shumë e qartë se si do të lëvizin gjërat në ditët në vazhdim, megjithatë ka sinjale të qarta”, kanë thënë këto burime për lajmi.net.

Gjithnjë sipas këtyre burime të pakonfirmuara, pengesë në rrugën e bashkëpunimit të AKR-së dhe PAN-it, respektivisht te Haradinajt dhe Pacollit mbetet Agim Bahtiri, nënkryetar i AKR-së, i cili në disa raste është shprehur kundër bashkëpunimit me PDK-në.

Ai para hyrjes në koalicion parazgjedhor me LDK-në kishte kërcënuar me dorëheqjen nëse AKR-ja rreshtohet përkrah PDK-së.

“Bahtiri është fuqishëm kundër koalicionit me PAN-in, ai mbështetë fuqishëm një koalicion me Vetëvendosjen në kuadër të bashkëpunimit LAA –VV”, thonë burime të lajmi.net brenda AKR-së.

AKR-ja në kuadër të koalicionit me LDK-në dhe Alternativën i ka katër deputetë, që do të ishin të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë Haradinaj.

Lajmi.net ka tentuar të flas me zyrtar të AKR-së për takimin Pacolli-Haradinaj, por ata nuk janë përgjigjur në thirrjet tona. /Lajmi.net/