Gruaja e Icardit nga agjente në analiste futbolli që kritikon bashkëshortin

Wanda Nara në një rol të ri.

Sport

15/08/2018 15:44

Wanda Nara, njihet në mediat sportive si gruaja e sulmuesit të Interit, Mauro Icardi, por jo vetëm pasi së fundmi ajo është kthyer edhe në agjenten e Icardit.

Karriera e Naras nuk është ndalur me kaq pasi atë tashmë do ta shohim çdo të henë si analiste të futbollit, ku është shprehur e gatshme të kritikojë edhe burrin e saj, Icardin.

Nara do të paraqitet në programin e futbollit “Tiki Taka”, i cili transmetohet cdo të hënë në Itali.

“Mediaset më kanë bërë këtë ofertë për disa vite me radhë, por këtë herë kam pranuar sepse tani kam mundësi. Isabella, vajza ime më e vogël, fillon shkollën në shtator, kështu që do të kem më shumë kohë të lirë”, ka thënë Nara.

“Jam grua e pavarur, gjithmonë kam punuar dhe nuk dua të varem nga një burrë. Jam fanatike e Interit, por do të jem neutrale. Do të mësoj më shumë për klubet e tjera. A do ta kritikojë Icardin në TV? Çfarë problemi ka nëse e bëj një gjë të tillë?”.