Gjermani, policia në kërkim të personit të armatosur në një shkollë

Zëdhënësi i policisë Bjoern Reusch ka deklaruar se i dyshuari nuk ka përdorur armën dhe se askush nuk është lënduar

Bota

17/07/2017 15:21

Policia gjermane është vënë në kërkim të një personi i cili me armë zjarri u shfaq në një shkollë të mesme në Esslingen, në jugperëndim të Gjermanisë, pasi që paraprakisht kishte arrestuar personin e gabuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia tha se personi i cili fillimisht ishte arrestuar u lirua dhe se i dyshuari ka gjasa të ketë ikur me motor.

Zëdhënësi i policisë Bjoern Reusch ka deklaruar se i dyshuari nuk ka përdorur armën dhe se askush nuk është lënduar.

Shkolla “Friedrich Ebert” në Esslingen, në afërsi të Shtutgartit, është mbyllur të hënën, kurse të gjithë nxënësit u detyruan të qëndrojnë të mbyllur në klasat e tyre, ndërsa policët kontrollonin ndërtesën.

Policia në Twitter ka deklaruar se i dyshuari ishte i veshur me fanellë të kuqe, xhinse dhe syze dielli.