Gjermanët ftohen të largohen nga vendet e prekura me ebola

Gjermania u ka bërë thirrje shtetasve të saj të largohen nga Guineja, Liberia, dhe Sierra Leone, pasi numri i të vdekurve nga virusi ebola vazhdon të rritet në Afrikën Perëndimore. 

Bota

13/08/2014 18:02

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Schafer u tha gazetarëve të mërkurën se Gjermania ka bërë këtë thirrje pas takimeve të zhvilluara lidhur me përhapjen e virusit vdekjeprurës ebola në Afrikën Perëndimore.

Si transmeton REL, Schaefer deklaroi se “personeli mjekësor që është i nevojshëm në terren” është “i përjashtuar” nga thirrjet.

Ai shtoi se Gjermania është duke i mbajtur të hapura ambasadat dhe konsullatat e saj në vendet ku është shfaqur ky virus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka autorizuar përdorimin e një ilaçi eksperimental për të luftuar virusin vdekjeprurës të ebolas, nga i cili deri më tash kanë vdekur mbi 1,000 persona.