Gjeopolitika e zjarrit rus në Mal të Zi dhe rreth tij

Kishte shumë dyshime se shpërthimi i protestave në rrugë nga ana e partive proserbe dhe antiatlantike në Mal të Zi, menjëherë pas miratimit në parlament të rezolutës për hyrjen në NATO dhe shkallëzimi i dhunës së protestuesve menjëherë pas vizitës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në 15 tetor, kishte prapa tij një regjisurë dhe një interes imediat të jashtëm, i cili identifikohej lehtësisht tek Rusia.

Opinion

26/10/2015 09:12

Dhe kjo u konfirmua plotësisht, kur kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi zyrtarisht në 22 tetor se, “Nuk ka dyshim pas dy komunikatave të MPJ të Rusisë, që politika ruse është në anën e organizatorëve të protestave. Ndalimi i zgjerimit të NATO-s në Ballkan është një qëllim zyrtar i politikës shtetërore ruse”.

Zëvendëskryeministri malazez, Dushan Markoviç, deklaroi se sipas informacioneve të sigurta, Rusia po financon protestat. Ish-ministri i Jashtëm, Branko Lukovac, deklaroi se, “Fakti që Rusia po ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi nuk është gjë e re, por shkalla e ndërhyrjes së hapur është e habitshme”.

Mali i zi bëhet kështu arenë e një strategjie ruse të përmbysjes së qeverisë proatlantike nëpërmjet destabilizimit të brendshëm. Kjo është një strategji ballkanike e Moskës dhe drejtohet kundër të gjitha shteteve të rajonit, pavarësisht nëse janë anëtarë të NATO-s apo aspirojnë të bëhen anëtarë të NATO-s.

Moska e ka shkallëzuar ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të shtetit malazez, sapo nisi të bëhej gjithnjë e më konkrete mundësia e marrjes së një ftese për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në dhjetor të këtij viti. Ajo që nxiti padurimin dhe zemërimin rus ishte miratimi në 16 shtator nga parlamenti i Malit të Zi i rezolutës për anëtarësimin në NATO, dhe sipas Kushtetutës së atij vendi, për sanksionimin ligjor të anëtarësimit është i mjaftueshëm vetëm votimi në parlament.

Pas dështimit me presione të drejtpërdrejta mbi qeverinë e Podgoricës, që kishin kulmuar kur Moska kërkoi bazë ushtarake ruse në bregdetin malazez në vitin 2013 dhe kur Mali i Zi u bashkua me sanksionet e BE kundër Rusisë në vitin 2014, Rusia ndërroi taktikë. Ajo nisi zbatimin e planit gjeopolitik të rrëzimit të qeverisë për të realizuar ndryshimin e kursit të atij vendi.

Është një plan strategjik, të cilin e kemi parë të aplikohet në Ukrainë me përmbysjen e presidentit të revolucionit të portokalltë, Viktor Jushçenko, dhe në Gjeorgji me rrëzimin e presidentit të revolucionit të trëndafilave, Mihail Saakashvili. Një formë e zbatimit të këtij plani është konstatuar edhe në Bullgari, kur u rrëzua nga protestat e sponsorizuara nga Rusia qeveria e parë e kryeministrit Bojko Borisov, i cili kishte anuluar disa projekte të rëndësishme energjetike ruse.

Në Mal të Zi po asistojmë në përdorimin e metodës së vjetër të institucioneve të specializuara ruse për organizimin e protestave për ndryshim regjimi, për ta rrëzuar qeverinë, e cila është për integrimin euroatlantik dhe për të sjellë një qeveri proruse, e cila do ta kthente timonin e orientimit të vendit drejt Rusisë.

Nuk është rastësi që partitë proserbe dhe proruse kanë krijuar edhe të ashtuquajturën “Aleancë të neutralitetit”, e cila kërkon të aplikohet në Mal të Zi doktrina serbe e neutralitetit, si një bllokadë juridike dhe institucionale kundër anëtarësimit të vendit në NATO. Me një fjalë, Moska është në kërkim të një Janukoviçi malazez, nëpërmjet të cilit synon të realizojë kthesën gjeopolitike të pushtetit në Mal të Zi në favor të Moskës.

Për arritjen e këtij objektivi janë mobilizuar të gjitha forcat proruse dhe proserbe në Mal të Zi. Burime diplomatike bëjnë të ditur nga Podgorica se në protesta po marrin pjesë aktive edhe shumica e atyre 7 mijë shtetasve rusë, që jetojnë në Mal të Zi, si dhe kompanitë ruse, që veprojnë në atë vend dhe kontrollojnë një të tretën e të gjitha kompanive të vendit.

I ashtuquajturi “Front Demokratik”, një emërtim  i vjetër komunist sovjetik, i cili grumbullon rreth vetes shumicën e forcave politike dhe jopolitike proserbe, po kërkon nëpërmjet dhunës së rrugës të imponojë ndryshimin e qeverisë dhe të kursit atlantik në Podgoricë.

Në mbështetje të kësaj strategjie proruse është aktivizuar Kisha Ortodokse e Serbisë në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga peshkopi ultrafundamentalist, antiperëndimor dhe antiatlantik, Amfilohije, dhe e cila nëpërmjet rrjeteve të saj fetare po nxit pjesëmarrjen dhe inkandeshencën e protestave antiatlantike.

Pjesëmarrës aktivë janë edhe grupe radikale politike dhe paramilitare të ardhura nga Serbia, ku kryetari i Partisë Radikale serbe dhe kriminel ndërkombëtar lufte, Vojislav Sheshel, kërcënoi në 23 tetor me vrasje kryeministrin e Malit të Zi, nëse nuk plotëson kërkesën e protestuesve për dorëheqje.

Një fenomen i veçantë dhe që tërheq vëmendjen nga zhvillimet në Mal të Zi është aktivizimi i shumë shoqatave joqeveritare apo jofitimprurëse të të ashtuquajturës shoqëri civile, të cilat befas po e shfaqin veten në qendër të aksionit politik për përmbysjen e qeverisë së ligjshme, ndonëse në mandatin e tyre si shoqata nuk e kanë veprimtarinë politike.

Shumë shoqata joqeveritare, të cilat financohen me projekte dhe me joprojekte nga institucionet zyrtare dhe jozyrtare të Rusisë dhe të Serbisë janë bashkuar me protestat antiatlantike, me qëllim që të masivizojnë forcën e rrëzimit të qeverisë.

Me sa duket, projekti i madh rus i rrëzimit të qeverisë del si hipotekë e financimeve të panumërta gjeneroze, që Rusia dhe Serbia u kanë bërë ndër vite dhe i kanë shndërruar në milionerë drejtuesit e të ashtuquajturave shoqata jofitimprurëse.

Ngritja e tensioneve të brendshme dhe përpjekja për ndezjen e zjarrit në Mal të Zi vjen pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Ne kemi theksuar disa herë qysh në fillimet e krizës ukrainase se Rusia do të përpiqet që të krijojë vatra destabilizimi edhe në Ballkan, me qëllim që të bëjë presion mbi Perëndimin dhe t’i hapë probleme atij në Ballkan dhe për ta bërë atë të pranojë pushtimin rus të Krimesë dhe të Ukrainës Lindore.

Karakteristikë e strategjisë gjeopolitike ruse në Ballkan është përqendrimi i goditjes kryesore në vendet ish-komuniste, sepse mbeturinat dhe trashëgimtarët e ideologjisë së vjetër komuniste dhe prosovjetike janë terrene, ku institucionet e specializuara ruse mund të aktivizojnë planet e tyre për çdo vend ish-komunist në rajon. Rritja e ndërhyrjes ruse dhe e tensioneve të organizuara prej saj në Ballkan po ndodh krahas dallgëve të mëdha, gjithashtu të organizuara, të refugjatëve që po dynden nëpër vendet ballkanike nga Siria dhe Lindja e Mesme, duke krijuar trazira destabilizuese.

Ajo që po ndodh në Mal të Zi, tërheq dhe duhet të tërheqë vëmendjen për shkallëzimin e ndërhyrjes ruse në rajon dhe për strategjinë e tensionit, që po ndjek Rusia në gadishullin tonë. Ministria e Jashtme e Rusisë gjatë këtyre ditëve lëshoi dy komunikata në mbrojtje të protestuesve antiatlantikë në Mal të Zi, duke deklaruar se “përfshirja e këtij vendi në procesin e integrimit euroatlantik kurrsesi nuk shpie në konsolidimin dhe prosperimin e vendit”.

Është një ndërhyrje e hapur dhe flagrante në punët e brendshme të Malit të Zi, një shkelje e sovranitetit dhe e së drejtës së popullit dhe të shtetit malazez për të përcaktuar ata vetë rrugën e dhe perspektivën e vendit në familjen europiane.

Kaq e madhe është ngutja ruse për të ndryshuar kursin euroatlantik të Malit të Zi, sa që Ministria e Jashtme del edhe kundër anëtarësimit të Malit të Zi në BE, në një kohë që ai tashmë është shtet kandidat i BE dhe ka hapur bisedimet e pranimit në atë organizatë. Nuk mund të mos e marrësh si një mungesë serioziteti të diplomacisë ruse faktin që ambasadori i ri i Rusisë në Podgoricë, jo shumë larg, por para një muaji, gjatë paraqitjes së letrave kredenciale në shtator, deklaroi se udhëheqja e Rusisë respekton të drejtën e Malit të Zi për integrimin euroatlantik.

Është interesant se në rastin e protestave të opozitës në pranverë të këtij viti në Maqedoni, Rusia mori anën e qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, duke lëshuar katër komunikata në favor të tij dhe duke sulmuar protestuesit se donin të organizonin një “revolucion me ngjyrë”.

Në rastin e Malit të Zi, Ministria e Jashtme ruse nuk sheh më “revolucion me ngjyrë”, por është bërë njësh me protestuesit antiatlantikë dhe kundër qeverisë.

Rusia bëhet me ata që punojnë në favor të strategjisë dhe të interesave ruse dhe kjo shpjegon mbështetjen zyrtare për kryeministrin maqedonas dhe për opozitën malazeze.

Tensionet në Mal të Zi nuk mund të mos ndiqen me shqetësim edhe në Shqipëri, sepse Mali i Zi është një shtet fqinj, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira dhe ku jeton edhe një popullsi autoktone shqiptare.

Që protestuesit e “frontit demokratik” nuk e kanë hallin tek problemet sociale dhe ekonomike e tregon dhe fakti i sulmit që ata ndërmorën në 24 tetor kundër ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, që ishte demonstrim i urrejtjes antiatlantike dhe antiperëndimore të tyre.

Ndërhyrja ruse në punët e brendshme të Malit të Zi duhet parë si pjesë e qëllimeve të ndërhyrjes rajonale dhe që pritet të shkojë përtej shtetit të vogël fqinj dhe të shtrihet në vendet përreth. Nuk është pa lidhje që diplomacia ruse vendosi të japë sinjalet e një ndërhyrjeje më të gjerë, kur në mënyrë të habitshme dhe jashtë çdo norme diplomatike për një ambasador të akredituar në një vend që të sulmojë një vend të tretë, ambasadori i Rusisë në Tiranë në 23 tetor kritikonte qeverinë e Malit të Zi dhe i kërkonte saj të organizojë referendum për integrimin euroatlantik. Dhe po në këtë linjë ndërhyrjeje në punët e brendshme të një shteti tjetër, ambasada ruse në Tiranë në 24 tetor, në një njoftim për shtyp, u kërkon mediave shqiptare të mos u referohen mediave perëndimore për zhvillimet në Siri. Burime të MPJ të Shqipërisë bëjnë të ditur se konstatohet një agresivitet më i madh nga ambasada ruse pas krizës ukrainase dhe një presion më i madh i saj në disa zyra të rëndësishme shtetërore, ku në ndonjë rast ka pasur edhe rezultat.

Një sinjal negativ për efektin e sponsorizimeve ruse është dhe një lloj rusofilie, që ka nisur të karakterizojë disa media shqiptare, të cilat nuk dihet se për çfarë arsye kanë nisur befas të mallëngjehen nga glorifikimet e propagandës zyrtare ruse për figurën e presidentit Vladimir Putin dhe madje t’i bëjnë një jehonë pozitive ndërhyrjes ruse në Siri, duke ringjallur një servilizëm të arkivuar sovjetik të kohës, kur Shqipëria ishte satelit i Moskës. Ky fenomen negativ, ndonëse në embrion, duhet trajtuar me seriozitet nga institucionet shtetërore shqiptare, sepse sponsorizimet ruse, që nga mediat e deri tek “shoqatat jofitimprurëse” dhe forcat politike të majta dhe të djathta mund të shkallëzohen, duke shkaktuar të papritura të pakëndshme në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë dhe në inkurajimin e destabilizimit të vendit në forma të ndryshme. Uria gjeopolitike ruse nuk shenjon vetëm Malin e Zi, por tërë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. /Gazeta Shqiptare