Gjashtë momente të një paradoksi politik

Politikës kosovare vështirë që dikush mund t’i bie në fije. Zatën, ajo gjithnjë e më shumë shihet si një lëmsh që nuk mund të zgjidhet dot.

Opinion

06/04/2017 11:34

Shruan: Blerim Shala

Jemi bërë vend i paradokseve politike. Të të gjitha llojeve. Aq shumë i prodhojmë ato, gati në baza ditore, saqë vështirë është dikush të mirret edhe me evidencimin e tyre. E lëre më me adresimin dhe zgjidhjen e tyre.
Në krye të Listës së paradokseve është trajtimi që ia bëjmë Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe këtu kemi të bëjmë me një cikël që përsëritet, në trajtë të çrregullt, së paku një herë në muaj, në mos edhe më shpesh.
Ta zëmë, gjithçka nisë këtu me një qëndrim kategorik që vie nga autoritetet zyrtare të Kosovës, sipas të të cilit Ratifikimi i Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi është një kriter i fundit që Kosova duhet të përmbushë, për të marrë të drejtën, për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të udhëtuar pa viza në Evropë. Kjo çështje nuk ka më çka të diskutohet dhe të debatohet. Dhe kështu me radhë.
Në të shumtën e rasteve, po të njejtit zyrtarë të Kosovës të cilët e kanë thënë, zëshëm, që Marrëveshja me Malin e Zi është hapi i fundit i një rrugëtimi të gjatë të Kosovës për të marrë një të drejtë  (dhe një përgjegjësi, gjithsesi, këtu duhet shtuar), pak ditë më pas, bëjnë një apel publik Brukselit që disi t’i mbyll sytë, vetëm një herë  (tek e mbrama), karshi këtij kushti të fundit, dhe që t’ia mundësojë kosovarëve të udhëtojnë pa viza, ndërsa më pas do t’i gjindet zgjidhja edhe temës së kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Tek e mbrama, Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie shumë të mira, prandaj kjo çështje edhe mund të pres një kohë. Pastaj, kur të krahasohet Kosova me Gjeorgjinë dhe Ukrainën  (të cilat së fundit u pajisën nga BE me liberalizimin e vizave), situata këtupari është shumë më e mirë. Dhe kështu me radhë.
Kur zjarrmia politike tejkalohet, dhe kur sërish kuptojmë që nuk është rendi që Brukseli do të na ‘mëshirohet’ disi, duke heq dorë nga një Parim i veti  (BE-së edhe mund t’i ndodhë, siç po shihet kohëve të fundit, që thuajse t’i çojë duartë nga një shtet i tërë, siç është rasti me Maqedoninë, por jo edhe nga një Parim i veti), atëherë, sërish i kthehemi variantit që Kuvendi i Kosovës, brenda një periudhe fare të shkurtër, që herë matet me ditë e herë me javë (varësisht nga disponimi politik që mbizotërin atë ditë), do të mblidhet për të vendosur për Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.
Por, pas zjarrmisë politike, si hap i radhës  (i katërti, nëse nuk gabojmë), vjen koha e etheve të mëdha, të cilat janë reflektim i mungesës së votës së mjaftueshme në koalicionin qeveritar për ta përmbyllur këtë obligim. Kjo u kuptua sërish në dy javët e fundit, pas kthimit në institucionet qendrore të ‘Listët Serbe’. Më para, mungesa e 11 deputetëve të kësaj Liste, ishte një justfikim i mirë që rrëfimi për këtë Marrëveshje të mbahet në një ‘frigorifer’. Kur ata u kthyen, tash hesapet nuk po dalin si duhet, apo, po kuptohet që nëse tani do të hidhet në votim, në Kuvendin e Kosovës, kjo Marrëveshje, e cila kërkon mbështetjen e së paku 80 deputetëve të Kuvendit, ajo nuk do të kalojë.
Këtu i vjen radha momentit të pestë në gjithë këtë kallëzim të mbushur me paradokse. Nuk dihet çka do të ndodhë me këtë Marrëveshje, edhe nëse ajo nuk trajtohet fare në Kuvendin e tashëm të Kosovës, apo nëse i lihet si barrë dhe detyrim, përbërjes së ardhshme të Kuvendit.
Më në fund, momenti i gjashtë, mbase, edhe kulminanti i stories kosovare për një Marrëveshje ndërkombëtare e cila synon ta shenjojë kufirin shtetëror të Kosovës me një shtet fqi, është ai që i bashkon të gjitha subjektet politike dhe të gjithë liderët politik të Kosovës. Që të gjithë ata flasin me një zë kur duhet konstatuar që është e domosdohme të kryhet kjo punë, që Mali i Zi është treguar shtet mik i Kosovës, që nuk ka kurfarë problemi në relacionet e Kosovës me Malin e Zi, që Mali i Zi do të bëhet së shpejti anëtar i Paktit NATO  (që është edhe synim i joni), dhe që mbi të gjitha, ne jemi miq të përjetshëm të SHBA-së.
Dhe kështu me radhë. /Lajmi.net/