Gëzim Ostreni formon një parti të re shqiptare në Maqedoni

Partia më e re shqiptare në Maqedoni, “Uniteti”, në krye me gjeneralin Gëzim Ostreni, sot doli para publikut.

Lajme

03/10/2015 11:58

Në shoqëri të tij është Zylfi Adili-Qufa si dhe disa anëtarë të tjerë të cilët nuk dihet saktë nëse i kanë takuar strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim, transmeton gazetari i Portalb-it nga terreni.

Gëzim Ostreni gjatë prezantimit të partisë së tij

Ostreni njoftoi se grupi ka bërë përgatitjet dhe ka nisur procedurën për krijimin e kësaj partie.

“Idetë e partive tona janë të kontrolluara nga VMRO-DPMNE dhe mundohen të sigurojnë monopol për vete, shqiptarët po e ndjejnë veten të pasigurt për çështjet që i kanë votuar përfaqësuesit. Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet sepse janë betuar se do të jenë besnik ndaj organeve të shtetit. Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë vasal të VMRO-DPMNE-së. Qeveria e Maqedonisë nuk ka nguruar të përdorë dhunë. Partitë i nxisin qytetarët për të fituar vota gjoja për t’u mbrojtur çështja shqiptare. Shtyllat e demokracisë janë deformuar, politikanët janë ngritur mbi kushtetutën. Duhet theksuar edhe kërcënimet që manifestohen me parulla fashiste kundër shqiptarëve, për këtë askush nuk përgjigjet. Uniteti do të kujdeset për rregullimin e kësaj gjendje, përmirësimin e shtetit, marrëdhënieve të mira, dhe jo t’i fyejmë dhunës, do ta forcojmë shtetin qytetarë multietnik. Shqiptarët si qytetarë duhet të jenë të barabartë dhe jo si lypsarë”, tha Gëzim Ostreni, transmeton Portalb.