Gabimet që duhen shmangur kur dekoroni shtëpinë për festa

Çfarë duhet të kemi parasysh në momentin që fillojmë të mendojmë për dekorimin e shtëpisë?

Lifestyle

25/12/2018 08:39

Festat e fundvitit dhe atmosfera e ngrohtë dhe festive që ato ofrojnë nuk mund të konceptohen pa disa elemente tipike që e karakterizojnë, siç janë dritat e bardha dhe shumëngjyrëshe, shiritat vezullues, pema e Krishtlindjes, dhuratat, qirinjtë, drekat dhe darkat pranë oazës familjare, dhe shumë elemente të tjera tipikë të kësaj periudhe.

Klima e ftohtë me reshje shiu e dëbore dhe temperaturat e ulëta që përkojnë me këto festa, bëjnë që njerëzit të priren për të kaluar më shumë kohë pranë gjirit të familjes, duke shijuar praninë e njëri-tjetrit, që nga momenti i dekorimit të shtëpisë e deri te shijimi i darkës aq të shumëpritur të ndërrimit të viteve.

Po çfarë duhet të kemi parasysh në momentin që fillojmë të mendojmë për dekorimin e shtëpisë?
Më poshtë ju ofrojmë disa këshilla, për të mos gabuar dhe për të sjellë një atmosphere festive me elementet e duhura.
Zgjedhja e stilit
Hapi i parë për t’i dhuruar shtëpisë magjinë e festave, është të zgjedhësh stilin e duhur që përkon më së miri me arredimin e shtëpisë. Duhet të kemi kujdes që elementet që do të shtojmë për ta dekoruar shtëpinë të jenë të së njëjtës natyrë e të të njëjtit stil, për ta plotësuar atë dhe jo për të krijuar përplasje . Për të mos u futur në detaje të tepërta, stilet po i përmbledhim në dy grupime të mëdha: në stil tradicional dhe modern.
Për një shtëpi të stilit tradicional dhe klasik zakonisht ngjyrat që përdoren janë e kuqja, jeshilja, e argjendta, e florinjta dhe e bardha.

Zgjedhja e ambienteve të shtëpisë që duhen dekoruar
Në një atmosferë festive ndodh që entuziazmi i tepruar t’ju çojë edhe në gabime. Pa diskutim që në dekorimin e shtëpisë nuk ka rregulla dhe as kufij. Mbi të gjitha, ky proces është individual dhe i personalizuar, por e mira është që t’u qëndrojmë besnikë disa parimeve për të mos pasur një rezultat jo të këndshëm vizualisht. Edhe zgjedhja e ambienteve të shtëpisë, të cilat do të preken nga dekorimi, duhet bërë me kujdes. Duhet shmangur shpërndarja në mënyrë të barabartë e dekorimeve në të gjithë shtëpinë, duhen evidentuar dhe identifikuar pikat kyçe.

Ambientet ndihmëse si depot, tualetet, lavanteritë e gardërobat, do të ishte e tepërt të prekeshin nga atmosfera festive.
Porta e hyrjes është elementi i parë, me të cilin përballen edhe miqtë kur të vijnë për t’ju vizituar. Mos harroni të vendosni në të një kurorë të zbukuruar sipas shijes dhe stilit tuaj. Korridori, ndenjja, tavolina e ngrënies, shkallët e brendshme (nëse jetoni në vilë ose në apartament dupleks) janë ambiente në të cilat fluksi i kalimit dhe koha e qëndrimit është më e madhe dhe në të cilat atmosfera duhet të ndihet patjetër.

Gjithashtu në qoftë se në banesën tuaj keni oxhak, jepini atij rëndësinë e duhur, zbukurojeni atë. Vendosni mbi parmakun e tij qirinj dhe shirita të gjelbër ose me ngjyra, dekorime të ndryshme me frymë festash. Mund të zgjidhni edhe të varni çorapet e famshme të Krishtlindjes me tekstura me printime ose thurje. Fëmijët do të kënaqen pa masë duke i mbushur me karamele dhe dhurata të ndryshme.

Dekorimi në zonën e natës është diçka që ndodh rrallë, por jo që nuk ndodh. Sidomos nëse keni fëmijë të vegjël, ata do të gëzohen pa masë, nëse në dhomën e tyre do të kenë elemente zbukurimi.

Familjet që jetojnë në apartamente, mund të zgjedhin të zbukurojnë me shirita ndriçimi ose shirita vezullues perimetrin e dritareve ose të ballkonit, ose të ngjisin nëpër xhama ngjitëse me forma bredhi ose kristalesh. Dekorimet nëpër dritare shpesh janë të nënvlerësuara, por në të vërtetë ato janë të përshtatshme për arredimin dimëror, duke i dhënë banesës një pamje elegante dhe magjike, si në interier ashtu edhe në eksterier. Vendosni në parvazin e ballkonit vazo me lule me ngjyra, ose nëse keni vazo me gjethe të gjelbra, dekorojini ato me topa shumëngjyrësh, ashtu siç bëni edhe me bredhin e Krishtlindjes. Ndërsa familjet që jetojnë në vila private, duhet ta përcjellin atmosferën festive që në oborr, duke dekoruar kangjellën mbi murin rrethues, portën e jashtme, ose duke rrethuar trungjet e pemëve me shirita me drita.

Një ide do të ishte edhe ajo e vendosjes së fjongove ose të topave të ngjyrave sipas stilit të përdorur, në kërcejtë e shkurreve ose në degët më të trasha të pemëve që keni në oborr. nga Blerta Stefa.