Fundoset anija ushtarake e NATO-s në Norvegji

Një anije ushtarake norvegjeze është parë pothuajse e fundosur në det afër qytetit norvegjez, Bergen. Kjo anije është nën komandën e NATO-s. Ajo filloi të fundosej kur u ndesh me një anije transportuese të karburanteve nga Malta dhe në të u hap një vrimë e madhe.

Bota

17/11/2018 11:43

Kjo anije është njëra ndër pesë anijet kryesore të flotës norvegjeze dhe ishte duke qarkulluar afër fjordeve me qëllim të trajnimit për navigacion. Ajo u ndesh me transportuesen malteze të karburanteve, e cila ishte duke dalur nga një pikë e furnizimit të naftës.

Personeli ushtarak i anijes u përpoq që ta shmangin përplasjen me anijen tjetër, por drejtim i saj kah një vend i sigurtë ishte i pamundur për shkak të peshës 5500 tonëshe të saj. Ajo ka mbetur pjesërisht e fundosur dhe mbi ujë shihet vetëm pjesa e sipërme e anijes. Mediat vendore kanë ngritur dyshime se si ka mundësi që një anije e ndërtuar për luftë nuk mundi ta shmangë një bartëse karburantesh që lëviz shumë ngadalë.

Në këtë aksident mbetën të lënduar 8 nga 137 personat që gjendeshin në anije. Zyrtari për komunikim në flotën norvegjeze tha se me hetimet do të merret vetëm policia. Aksidente të ngjashme detare kanë ndodhur edhe në të kaluarën, në të cilat ishin përfshirë edhe anijet amerikane. Dyshohet se disa prej këtyre aksidenteve kanë mundur të shmangen dhe kanë ndodhur për shkak të gabimeve njerëzore, shkruan “CNN”.