FSHF publikon komunikatë me foton e Bogdanovit: Ja çfarë do të bëjmë tani

Federata Shqiptarë e Futbollit nuk e ka ndërmend të dorëzohet, edhe pse mori një përgjigje tjetër negative nga UEFA, ajo ka vendosur që të apelojë edhe një herë, kësaj radhe me foton e huliganit serb,Ivan Bogdanov.

Sport

02/12/2014 22:24

Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një komunikate zyrtare të lëshuar për shtyp, ka vendosur të marrë hapin e radhës, kësaj here me një fotografi të huliganit serb, Ivan Bogdanov, i cili ishte në fushë në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Të gjithë e dimë se ai është dënuar, dhe nuk duhet të jetë në asnjë stadium. Atëherë pyetja është, si u fut ai brenda, në stadiumin e Beogradit?

Komunikata e FSHF-s:

Federata Shqiptare e Futbollit, u njoh të martën në mbrëmje me vendimin e Komisionit të Apelit, tek i cili shpresonte që të gjente më tepër drejtësi, në lidhje me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, për ndeshjen e Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Beograd më datë 14 tetor 2014 dhe të ndërprerë në minutën e 41 të takimit. Ky vendim i këtij Komisioni, la në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, në lidhje me këtë takim të papërfunduar.

Pavarësisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigozzi dhe studiove ligjore, të prenotuara nga FSHF, përsëri asgjë nuk ndryshoi. Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh e fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë. Të pushtimit të fushës, nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.

Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore, të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë.

Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin, dhe median, se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë, pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e binduar se i takojnë tre pikët e fitores, së kësaj ndeshjeje. FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm.