Flet për pikënisje të fitoreve

Isa Mustafa vizitoi Istogun, ku u prit me flamurin e Dardanisë. Vlerësoi lart figurën e Rugovës dhe u shpreh i bindur se LDK do të fitojë anembanë Kosovës, më 3 nëntor.

Lajme

29/09/2013 21:33

Isa Mustafa, gjatë një takimi me banorët e Banjës së Istogut, të dielën, deklaroi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitojë anembanë Kosovës, me 3 nëntor.

Ai u prit me flamurin e Dardanisë, në vendlindjen e Presidentit Rugova, e nga atje pohoi se 3 nëntori do të jetë pikënisja e fitoreve për LDK’në.

“LDK’ja është parti shumë e fortë. Është parti e Ibrahim Rugovës, e Presidentit tonë, të cilit në mënyrë aq të madhërishme ia bënë nderimin, në qendër të Prishtinës, shumë qytetarë të Prishtinës, qytetarë të Kosovës dhe të ardhur nga diaspora, sepse ai ishte dhe mbetet njeri i cili e meriton nderimin më të madh”.

“Ky është vendi nga i cili erdhi Ibrahim Rugova dhe kam nderin që në qendër të Prishtinës, Ibrahim Rugovës t’ia sigurojmë vendin më të mirë dhe ai të jetë testamenti ynë, siç thoshte ai, i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë”.

“Ne borxhin ndaj Rugovës nuk do ta shlyejmë kurrë vetëm duke e respektuar votën, por borxhin do ta shlyejmë duke e rritur veprën e Ibrahim Rugovës. Dhe, veprën e Ibrahim Rugovës ne do ta rrisim me fitoret tona, që do t’i arrijmë këtë mandat në këto zgjedhje, sepse do të fitojmë anembanë Kosovës”.

“Ne do të punojmë për qytetarët tanë, do t’i zhvillojmë komunat, do ta zhvillojmë Kosovën dhe këto zgjedhje do të jenë pikënisja e fitores që ne do ta realizojmë vitin e ardhshëm në zgjedhjet nacionale”.

Nga Istogu Mustafa ka vijuar takimin e tij me qytetarë, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, në Stanovc të Vushtrrisë, ku është shprehur i bindur në fitoren e kandidatit të LDK’së,  Refik Ramaj.

“Kryetari i ardhshëm i Vushtrrisë,  Refik Ramaj, u zotua para jush se ai do të qeverisë mirë dhe unë zotohem si Kryetar i LDK’së se do të bëjmë çdo gjë që në komunat, në të cilat ne do të qeverisim në të ardhmen, dhe unë besoj shumë që do të qeverisim shumicën e komunave në Kosovë, do të jenë komuna, të cilat do t’i qeverisim mirë, komunat të cilat do t’i qeverisim për interesa të qytetarëve dhe do të jenë komunat, me të cilat ne do të mburremi në fund të mandateve, se kemi përfunduar punën mirë për njerëzit tanë”.

“Ju ftoj që të dilni në zgjedhje, sepse vota është e drejtë e patjetërsueshme e çdo qytetari”.