Faturat Energjike

KEDS thotë se nuk janë bërë fyerje të faturave të konsumatorëve, pas ankesave të mëdha të tyre. Sipas Guri Shkodrës, në dhjetor dhe janar ka ngritje të faturave për shkak të konsumit më të madh. Ankesat e konsumatorëve do të shqyrtohen brenda 15 ditësh.

Lajme

09/01/2014 12:09

Konsumi i madh i energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit ka bërë që të ngriten faturat e konsumatorëve për  muajin dhjetor.

Megjithatë,  kompania e KEDS do të pranojë të gjitha ankesat e tyre dhe do t’i shqyrtojë ato brenda 15 ditësh .

Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se KEDS nuk po fryn faturat.

Sipas Zyrtarit për Informim të KEDS, Guri Shkodra, faturat e konsumatorëve janë rritur për shkak se muajt dhjetor dhe janar janë më të ftohtit.

“KEDS nuk fryen fatura dhe KEDS nuk bën rritje të qëllimtë të faturave. KEDS respekton rregullat, blloqet tarifore, sistemin tarifor në sistemin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë konsumatorët faturohen në bazë të këtyre procedurave”.

“Numri i ankesave të pranuar në KEDS është në rritje. Kjo është standarde, kemi bërë hulumtime edhe për vitet e kaluara sidomos gjatë festive të dimrit numri i ankesave që pranohen është gjithmonë më i lartë sesa ankesave që pranohen në sezonet tjera”.

“Konsumi në dhjetor dhe janar është tradicionalisht më i lartë në Republikën e Kosovës për disa, arsye kjo për shkak të festive të fundvitit e dyta është për shkak të vizitave të shumë mërgimtarëve që bëhen gjatë festive të fundvitit e treta është për shkak se muaji dhjetor dhe janar cilësohen të jenë muajt më të ftohtë në Kosovë”.

Ndërsa Menaxherja për Komunikim me Publikun në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj, ka thënë se të gjitha ankesat e qytetarëve do të shqyrtohen brenda një periudhe 15 ditore. Sipas saj, nuk do të ketë shkyçje të energjisë për derisa të bëhet zgjidhja e ankesave.

“KEDS është gjithmonë i mobilizuar për lexim të drejtë të njësorëve sidomos gjatë muajve të dimrit sepse KEDS është i vetëdijshëm që mënyra e kalkulimit të shpenzimit të energjisë elektrike sidomos gjatë muajve të dimrit ngritë paqartësi tek konsumatorët”.

“Për këtë KEDS është mobilizuar në mënyrë sa më të mirë duke krijuar grupe emergjente të veprimit apo edhe task-forcë për shqyrtimin e ankesave, me të vetmin qëllim që të jetë sa më afër konsumatorëve, që të informojë konsumatorët në mënyrë sa më korrekte e transparente, duke u munduar që t`i shtjellojë në mënyrë sa më të elaboruar çdo brengë të konsumatorëve”.

“Falë këtij mobilizimi KEDS shqyrtimin e ankesave për faturat e dhjetorit për të gjithë konsumatorët do të bëhet në afat më të shkurtër kohor. Ky afat kohor do të jetë prej 15 ditësh për të gjithë konsumatorët e KEDS”.

“I sigurojmë konsumatorët se gjatë shqyrtimit të ankesave nuk do të ketë shkyçje nga rrjeti elektrik  në këtë periudhë 15 ditore kur edhe do të bëhet shqyrtimi dhe zgjidhja e kësaj ankese”, ka thënë Pajaziti- Arifaj.