Fati final i Qeverisë – Lajmi.net
Fati final i Qeverisë
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 9:30, 21 December 2017
E ardhmja e Qeverisë së Kryeministrit Haradinaj është në varëshmëri të drejtpërdrejtë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjatë vitit 2018.

Njëqinditëshi i Qeverisë së Kosovës, të Kryeministrit Ramush Haradinaj, gjithsesi, gjatë këtyre ditëve, do të debatohet gjërë e gjatë në politikën kosovare. Në rrethanat mbizotëruese tek ne, është fare lehtë e parashikueshme se si do të bëhet ky ballafaqim publik për punën që është bërë nga kjo Qeveri, prej shtatorit e këndej. Thjeshtë: Pozicionimi politik, qeveritar apo opozitar, i cili në masë të madhe karakterizon edhe opinionin publik, mediat, OJQ-të, do të jetë përcaktues për vlerësimin e rezultateve të Kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit të tij. Nuk është rendi që disi, në mënyrë më objektive të ndodhë valorizimi i të arriturave dhe gabimeve të kësaj Qeverie.

Sidoqoftë, nëse debati që do të bëhet këto ditë, nuk do të sjell farë cilësie të re politike në vend, apo, nuk do të mund të mbërrihet disi tek një vlerësim që do të bashkonte një shumicë të mendimeve dhe qëndrimeve politike dhe publike, ka një siguri të madhe në parashikimin e fatit final të Qeverisë së Kosovës. Ky fat është në varëshmëri të drejtpërdrejtë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjatë vitit 2018. Ndërsa kjo e drejtë të cilën pa dyshim e meritojnë qytetarët e Kosovës, ka raport të njohur të lidhshmërisë me Ratifikimin e Marrëveshjes për vijëzimin e kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi. Zatën, ky ishte rasti edhe me Qeverinë e kaluar të Kosovës, të prirë nga Kryeministrit Mustafa. Dështimi i saj për ta siguruar votën kualitative në Kuvendin e Kosovës për këtë Marrëveshje, ishte shkaku kryesor (megjithëse këtu shumëkush mund të listojë një mori arsyesh pse ky ishte epilogu i Qeverisë Mustafa), pse Kosova për herë të tretë që prej se është shtet, pati zgjedhje nacionale të jashtëzakonshme.

Natyrisht, ‘njësitë matëse’ të suksesit dhe dështimit të një Qeverie, edhe të kësaj të Kryeministrit Haradinaj, njohin parametra të shumtë, politikë, ekonomik, social, të sigurisë gjithsesi. Por në rastin e Kosovës, për shkaqe që mund të klasifikohen si objektive dhe subjektive, tema e liberalizimit të vizave ka një prioritet të tillë, dhe një hise  (që njeh atë 51%, apo të shumicës absolute), që përcakton atë rrjedhën kryesore politike në vend dhe fatin e kësaj Qeverie.

Objektivisht pra, nuk ka më kurfarë dyshimi që politika kosovare duhet të bëjë krejt çka duhet që t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës udhëtimin e lirë për në Evropë. Kjo është një temë politike e klasit të parë, që ka në vete edhe potencialin e madh emocional, sepse qytetarët e Kosovës nuk mund dot të kuptojnë pse së pari ata kanë mbetë kështu të izoluar, për vite të tëra, dhe së dyti, pse politikanët e vendit nuk i kanë kryer punët e tyre si duhet, për t’i hapur ‘portat’ e Evropër për ta.

Subjektivisht, kjo çështje ka marrë qendrën e preokupimeve dhe interesimeve të politikës kosovare, që prej vjeshtës së vitit 2015 e këndej, si njëra prej fushëbetejave kryesore politike në vend, për shkak të Marrëveshjes kufitare në mes të Prishtinës dhe Podgoricës.

Në anën tjetër, përmbyllja e temës së Ratifikimit të Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ka një rëndësi të shumëfishtë për Kosovën. Jo vetëm pra që vota eventuale pozitive për te, do ta bënte vitin 2018 si shumë të veçantë për qytetarët e Kosovëës dhe për të drejtën e tyre që të udhëtojnë pa viza në Evropë. Pa këtë arritje, nuk do të ketë atmosferë pozitive në fazën finale të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Do të jetë shumë vështirë që të bisedohet për konkludimin e këtij dialogu që është i rëndë, i domosdoshëm, i paevitueshëm, dhe njëkohësisht, kosovarët të jenë tutje të izoluar. Në anën tjetër, edhe kur të ndodhë transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës  (gjatë vitit 2018), edhe në skenarin e preferuar kosovar – amerikan (me ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës), nuk mund dot të imagjinohet asnjë hap para i Kosovës në drejtim të anëtarësimit në Paktin NATO, aspiratë kjo konsensuale e politikës dhe qytetarëve të Kosovës, pa përcaktuar kufirin me Malin e Zi, shtetin më të ri anëtar të Aleancës Veriatlantike.

Pra, kemi të bëjmë me një vendim që çelë udhë në të gjitha anët e mundshme, për qytetarët e vendit dhe për vetë shtetin e Kosovës. Natyrisht, dhe anasjelltas.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO