Facebook mohon se ka shitur të dhënat e përdoruesve

Kompania amerikane Facebook ka demantuar sot mediat, se palëve të treta, sikurse janë prodhuesit e telefonave, u ka dhënë të dhënat e përdoruesve dhe miqve të tyre në këtë rrjet shoqëror.

Auto & Tek

04/06/2018 20:24

Gazeta New York Times shkroi se Facebooku ka arritur marrëveshje për ndarjen e të dhënave me të paktën 60 kompani, përfshirë Apple dhe Amazon, pas të cilës është rritur shqetësimi i përdoruesve.

Facebooku ka thënë se nuk pajtohet me këto pohime, por e pranoi se nuk di për keqpërdorimet e kompanive me të cilat bashkëpunon.

Disa nga prodhuesit e pajisjeve, sipas New York Times, mund të arrijnë deri te dhënat e miqve të përdoruesve, edhe pse ata kanë pasur ndjenjën se kanë bllokuar çfarëdo shpërndarje të të dhënave të tyre.

Ndryshe, drejtori i Facebookut, Mark Zuckerberg, ka dëshmuar në prill para Kongresit amerikan për të dhënat e përdoruesve, të cilat kompania ua ka bërë të qasshme palëve të treta.

Kah fundi i majit ka dëshmuar edhe në Parlamentin Evropian, ku ndërmjet tjerash, kërkoi falje për shkak të mënyrës me të cilën Facebook është përdorur për prodhimin e lajmeve të rreme dhe përzierjen në zgjedhje.