Facebook i jep të dhëna Kongresit amerikan

Facebook do t’i dorëzojë Kongresit amerikan të dhënat dhe përmbajtjen e mbi 3 mijë njoftimeve politike të paguara nga Rusia në platformën e tij.

Auto & Tek

22/09/2017 19:39

“Nuk dua që instrumentet tona të përdoren për minimin e demokracisë”, shpjegoi themeluesi i rrjetit më të madh social të botës, Mark Zuckerberg.  33-vjeçari u shpreh thellësisht i shqetësuar për procesin demokratik dhe për “mbrojtjen e integritetit” të mekanizmave të tij.

“Do doja t’iu thoja se do të jemi në gjendje t’i ndalojmë të gjitha ndërhyrjet, por kjo nuk do të ishte realiste. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj në botë dhe ne nuk ua ndalojmë dot të gjithëve hedhjen e mesazheve të tilla, por mund t’ua bëjmë më të vështirë dhe pikërisht këtu do të fokusohemi. Do të zhvillojmë gjithashtu hetime të brendshme, ndërsa Facebook në të ardhmen do të bëhet më transparent në këtë drejtim”, tha Zuckerberg.

Në rastin e reklamës politike, sot e tutje do të duhet të deklarohet se cilës fushate i përket apo kush ka paguar për të. Vendimi për të bashkëpunuar me Kongresin erdhi pas një presioni të shtuar publik e interpretohet edhe si përpjekje për të shmangur ndonjë ndërhyrje rregullatore të qeverisë amerikane.

Hetimet mbi të ashtëquajtur “aktorë të huaj” përfshijnë edhe grupe të ndryshme ruse dhe republika ish-sovjetike. Në fillim të muajit, Facebook njoftoi se nga 470 llogari të rreme, të menaxhuara me shumë gjasë nga Rusia, ishin shpenzuar gati 100 mijë dollarë për hedhjen e njoftimeve politike në këtë platformë gjatë dy viteve të fundit.

Besohet se llogaritë në fjalë lidhen me një entitet rus të quajtur “agjensia e kërkimit në internet”. Njoftimet i referohen në mënyrë të veçantë zgjedhjeve amerikane apo kandidatëve, ndërsa fokusohen në tema të ndryshme si racizmi, emigracioni apo qasja ndaj armëve të zjarrit. /Lajmi.net/