Erdogan: Qëndrimi i Trumpit na gëzon, BE nuk ka mbajtur premtimet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një intervistë për CNN International, ka bërë vlerësime mbi situatën e fundit në vend dhe më gjerë.

Lajme

19/04/2017 14:44

“Qëndrimi aktual dhe këndvështrimi i Trumpit na gëzon. Besoj se në takimin tonë dypalësh për përcaktimin e rrugës sonë, mund të shohim që dy vendet si partnerë dhe aleatë strategjikë dhe si dy vende të rëndësishme në NATO, kanë për të bërë dhe mund të bëjnë shumë”, ka thënë Presidenti Erdoğan në fjalën e tij.

Pyetjes së gazetarit mbi telefonatën e urimit për referendumin, Presidenti i Turqisë, iu përgjigj: “Ky ishte një urim dhe veçanërisht telefonata e tij gjatë festimit të Pashkëve mua më gëzoi. Ndërkohë që më uroi për këtë sukses, të dy gjetëm mundësinë të flasim për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, çështjen e Sirisë, etj. Gjatë kësaj bisede vura theksin tek rëndësia e një takimi kokë më kokë për të parë mundësitë e avancimit më tej të marrëdhënieve Turqi-SHBA dhe për këtë ramë dakord. Mendoj që brenda një kohe të shkurtër do të kemi një takim të tillë.”

Duke vënë në dukje se Trump i ka dhënë urdhër protokollit të tij për takimin dhe se edhe ai vetë ka urdhëruar protokollin të merret me këtë gjë, Erodğan pyetjes nëse do të zgjerojnë ose jo bashkëpunimin me SHBA-në në Siri, iu përgjigj se i ka përcjellë homologut amerikan shqetësimet e tij në këtë drejtim duke i theksuar se një organizatë terroriste si DEASH-i nuk mund të mposhtet duke bashkëpunuar me një tjetër organizatë terroriste. Ai ka përsëritur edhe qëndrimin e Turqisë të përcjellë SHBA-së përmes drejtorit të CIA-s dhe sekretarit Amerikan të Shtetit gjatë vizitës së tyre në këtë vend.

“E rëndësishme është të fitosh ndeshjen”

Ndërsa duke dhënë një vlerësim edhe për rezultatin në referendumin e fundit, Presidenti Erdoğan e ka krahasuar atë me përfundimin e një ndeshjeje futbolli duke thënë: “Unë vij nga futbolli dhe ne si njerëz që vijmë nga futbolli mund të themi diçka: Nuk ka rëndësi se sa është rezultati i ndeshjes, si 1-0, si 5-0, në fund të fundit pikët që do marrësh po 3 janë.”

Ndërsa lidhur me një raport të OSBE-së në lidhje me referendumin, Erdoğan rikujtoi se edhe në Francë ndërkohë që vazhdon gjendja e jashtëzakonshme po zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Duke vënë në dukje se ndërkohë që Turqia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme me 3 muaj, Franca e zgjat atë me 1.5 vite, ai në vijim tha: “Askush nuk flet për këtë. Kjo është një gjë e hapur dhe neto. Për fat të keq disa vende perëndimore janë duke thurur komplot kundër Turqisë. Normalisht që ky komplot nuk eci. Ndërsa tani nuk mundin ta kapërdinë këtë gjë.”

Ndërsa duke vënë në dukje se assesi nuk mund të ketë ndarje të shoqërisë turke, presidenti tha se duke e quajtur në këtë mënyrë, është një padrejtësi që i bëhet shumicës së votuesve në Turqi të cilët thanë “po”.

“Të thuash që 52 për qind e votave nuk janë të vlefshme dhe 48 janë të vlefshme, kjo gjë nuk mund të mbrohet kurrë në demokraci”, tha Erdoğan.

Ai më pas duke komentuar qëndrimin e BE-së, shtoi: “Kemi një Evropë që ka 54 vite që na lë të presim në derë. Me të drejtë pyes; cilin vend e lanë të presë 54 vite në derë? A ka vende të tjera që janë lënë të presin 50, 40 apo 30 vite? Por Turqia ka 54 vite që pret. Në radhë të parë kjo gjë është e papranueshme nga do që ta vlerësosh. Ndërkohë ne deri më sot jemi munduar të sjellim në vend kërkesat dhe të organizojmë ligjet në atë mënyrë që ka kërkuar BE-ja. BE-ja nga ana tjetër nuk ka bërë asnjë gjë, nuk mbajti premtimet dhe nuk veproi në kuadër të marrëveshjeve. BE-ja tha korrikun e vitit të kaluar që do të na jepte 3 miliardë euro për 3 milionë refugjatë sirianë që ndodhen në Turqi. Më pas thanë se do të jepnin dhe 3 miliardë të tjera. Për fat të keq që deri më tani shuma e ardhur është 725 milionë euro nga UNESCO dhe nga OKB 550 milionë dollarë. Shpenzimet që ne kemi bërë në këtë drejtim bashkë me shoqërinë civile kapin shifrat prej 25 miliardë dollarësh. Tani përballë një Evrope të tillë jemi ne. Do të na hiqnin regjimin e vizave. Nuk e mbajtën fjalën e dhënë. Asnjë fjalë që kanë dhënë deri më sot nuk e kanë mbajtur. Deri më tani kemi hapur 14 kapituj me BE-në. Më parë 15 kapituj ishin, ndërsa BE-ja duke thënë se ‘po vjen Turqia’ i nxori ato në 35. Në këtë prizëm edhe ne tani do të çojmë këtë gjë për ta zgjedhur në Parlament, ndërsa nëse nuk zgjidhet aty do të shkojmë përsëri në popull.”

Ndërkohë pyetjes se nëse Turqia do të hapë ose jo dyert për refugjatët nëse BE mbyll dyert e negociatave, Presidenti Erodğan ka thënë se nuk ka vend për tu frikësuar pasi të dyja janë tema të ndryshme. Ai ka thënë se edhe pse ata i kanë mbajtur fjalët, BE-ja nuk ka mbajtur asnjë fjalë deri më sot dhe më pas ka shtuar se nëse BE-ja hedh ndonjë hap për mbajtjen e premtimeve mund të hidhen hapa në mënyrë të shpejtë për gjërat e nevojshme, por se BE-ja ja ka mbyllur dyert Turqisë.

“Krahasimi i Trump me liderët e Evropës është i gabuar”

Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij ka thënë se gjatë kritikave nuk ka luajtur me ndonjë emër, por me sistemin, duke e quajtur sistemin si “nazist”.

Lidhur me një pyetje për përfshirjen e ish-drejtorit të CIA-s John Brennan dhe disa senatorëve amerikanë në tentativën nga FETO për grusht shteti, Erdoğan tha se këtë gjë e ka biseduar me Trumpin dhe se do t’i kërkojë atij drejtpërdrejt gjatë vizitës në SHBA dorëzimin e kryeterroristit të FETO-s.

“Tani faktet janë të qarta. Numri një i tentativës është ai. Nëse do të shohim se kush qëndron pas tij atë do ta zbulojmë, normalisht, por kjo do të dalë përmes procesit gjyqësor. Nuk mund të them un[ se kush qëndron pas kësaj, por drejtësia turke do t’i nxjerrë në pah të gjitha”, ka thënë Erdoğan, ndërsa ka theksuar se deri më tani nuk i është dhënë fjala për ekstradimin e kryeterroristit Gülen dhe thotë që po punojnë për këtë. /AA